Ali Ahmeti shpallet Qytetar Nderi i Tropopjës (Video)
Sot, në një ceremoni solemne në pallatin e kulturës “Dardania”, në Bashkinë e Tropojës, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim është shpallur Qytetar Nderi. Ky akt është përshëndetur nga Bedri Islami, kryetar i LPK-së, i cili ka mbajtur një fjalim të ngrohtë për figurën dhe veprën e Ali Ahmetit.
“Tropoja realizon sot një nga aktet që do të mbetet shumë gjatë në historinë e Malësisë së Gjakovës, ajo përbën margaritarin e qëndresës, shpall vendimin e Këshillit Bashkiak për një nga figurat me eminente, nderon birin e Zajazit, liderin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni, bashkëthemeluesin dhe drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës dhe udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombstare, Ali Ahmetin si qytetar nderi të saj.”, tha Bedri Islami.
Ai midis tjerash theksoi se Ali Ahmeti është një lider i veçantë, i cili ka luftuar për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Islami ka vlerësuar lartë kontributin e tij në luftën çlirimtare të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të reja dhe nacionale mes shqiptarëve. Ai ka përmendur edhe miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me personalitete të tjera të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ramush Haradinaj, Luan Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.
“E largët është dita kur për herë të parë takova Ali Ahmetin 30 vite më parë. Rrugët, miq të dashur, janë ata që bashkojnë njerëzit por edhe mund t’i ndajnë ata. Kam menduar edhe unë shpesh se si mund të ishte më e plotë më e denjë hapësira shqiptare, çfarë i mungonte asaj. Në mendje e kam pasur gjithmonë modelin e një lideri të veçantë i cili në rrugëtimin e tij politik gjithnjë u ka vënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete se sa realiteteve abstrakte, e kam fjalën për liderin Ali Ahmeti, liderin politik te shqiptarëve kudo në trojet tona etnike”, tha Bedri Islami.
Sipas Islamit, maturia dhe shpirti politik, siguria për të ecur qenësisht, krijimi i marrëdhënieve të reja dhe nacionale afrimi i shumë intelektualeve drejt bashkimit, koncepti i drejtë për shtetin e kane bërë praninë e tij të domosdoshme, figurën e atdhetarit të madh dhe në fund të fundit modelin e një shqiptari të politikës që nuk hedh gurë ndaj të tjerëve.
“Me konceptin e tij për te drejtën e shtetit, Ali Ahmeti do te jetë dhe njeriu i paqes, ashtu si qe njeriu i luftës, do të jetë njeriu që i besoi Adem Jasharit gjithë jetën e tij, që iu bashkua Zahir Pajazitit, u bë mik e vëlla me Ramush dhe Luan Haradinajn, dhe që ia besoi deri në ditën e fundit gjakun Fehmi Lladrovcit. Ali Ahmeti një herë u betua kur ishte 18 vjeçar, iu betua një flamuri një kombi dhe tha: “sikur 100 vjet të kem do ta shpëtoj popullin dhe kombin tim”, rikujtoi bashkëveprimtari i cili tutje vazhdoi lexoi një mesazh nga një mik pikërisht për figurën e Ali Ahmetit:
“Sot Bashkia e Tropojës po e nderon veten duke i dhënë titullin qytetar nderi luftëtarit të lirisë kombëtare Ali Ahmetit, ai është nderi jo vetëm i Tropojës por i të gjithë trevave shqiptare ku i thonë bukës, bukë, ujit, ujë dhe mbi të gjitha i thonë lirisë, liri.T’u shtoftë jeta,Baca Ali Ahmeti!”.