Arrestohet komandant ‘Topi’ me urdhër të Gjykatës Speciale
Komandat ‘Topi’, Haxhi Shala, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të Gjykatës Speciale. Lajmi njoftohet nga mediat e Kosovës, ku theksohet se arrestimi i tij vjen si pasojë e një procesi hetimor nga prokurori i Dhomave të Specializuara.
Nga të dhënat e para mësohet se komandati, Haxhi Shala dyshohet për vepra penale që lidhen me pengimin e drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.
Konfirmohet bastisja e pronave të Haxhi Shalës dhe intervistimi i tij nga Specialja
Kryetari i OVL-UÇK’së në Malishevë, Metush Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se ka informacione që Specialja ka kryer bastisje në pronat e ish deputetit Haxhi Shala, i njohur edhe si komandant Topi.
Ai tha se Shala është marrë në intervistim, ndërsa shtoi se nuk ka informacione që ai është arrestuar.
“Kemi informacione se janë bastis pronat e tij dhe është marrë në intervistim. Tjetër nuk di”, tha Kryeziu për Express.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se janë duke zhvilluar operacione.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të tjera”, thuhet në përgjigjen e ZPS’së për Express.
Pak më parë, Flakron Shala, djali i Haxhi Shalës ka hyrë në zyret e EULEX’it në Fushë Kosovë.
T7 ka qëndruar atje dhe ju sjellë pamjet.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2020, Shala ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit, e në tetor ishte intervistuar.