RajoniTop Lajme

BIRN: Rama sfidon BE, merr në mbrojtje projektin për rishikimin e zonave të mbrojtura

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje një projektligj për lejimin e aktivitetit ekonomik në zonat e mbrojtura me argumentin se “turizmi i luksit duhet për njerëzit e zakonshëm”, ndërsa shtoi se qeveria nuk i pranon leksionet morale të ndërkombëtarëve për natyrën.

BIRN
Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi tribunën e një konkursi për Vjosën të mërkurën për të marrë në mbrojtje një projektligj të deputetëve të PS për rishikimin e zonave të mbrojtura, ndërsa u kujtoi ndërkombëtarëve se qeveria e tij nuk i pranon “leksionet morale” për mbrojtjen e mjedisit.

Ai tha gjithashtu se rishikimi i zonave të mbrojtura vjen pas kërkesave në rritje të kryetarëve të bashkive dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik. Rama shtoi se mes konservimit të natyrës dhe zhvillimit ekonomik do të gjendej një “ekuilibër harmonik”.

“Na duhet turizmi i luksit për njerëzit e zakonshëm,” tha Rama duke iu referuar projektligjit, ndërsa shtoi se njerëzit e zakonshëm do të marrin “të ardhura më të mëdha”.

Projektligji për rishikimin e zonave të mbrojtura është paraqitur në Kuvend si një nismë e 12 deputetëve të Partisë Socialiste dhe synon t’i hapë rrugën lejimit të investimeve me karakter ekonomik. Ndërkohë, ekspertë dhe aktivistë mjedisorë e kanë kundërshtuar ashpër atë, duke argumentuar se kjo do të lejonte shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës dhe biodiversitetit.

Ekspertët e mjedisit thonë gjithashtu se drafti është “një katrahurë” ligjore që bie ndesh me direktivat e Bashkimit Europian dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu mesazhet edhe për ata që i quajti “miqtë tanë ndërkombëtarë”.

“Më parë sesa të na japin leksione se si ruhet një lumë i egër, duhet t’u kujtojmë se të egër kanë qenë edhe lumenjtë e tjerë të Europës, por ata i kanë zbutur,” tha Rama.

“Leksionet morale se si duhet të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot..,” shtoi ai.

Në dy vitet e fundit nëpërmjet vendimeve të kontestuara Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar të paktën 5 projekte brenda territorit të Zonave të Mbrojtura ose pranë Monumenteve Natyrore, duke anashkaluar shqetësimet e Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura.

Aktivistët kanë apeluar se këto investime rrezikojnë dëmtimin pa kthim të pasurive natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke kërcënuar speciet e rralla që i popullojnë ato.