Mexhiti: Në konkursin e janarit mund të ketë lëshime

Shpërndaje

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti nuk e përjashton mundësinë që të ketë lëshime gjatë punësimeve të reja të paralajmëruara nga janari. Edhe pse ka kërkuar listë të të punësuarve me kontratë në vepër që të kenë përparësi në raport me të tjerët, thotë se nuk mund t’ia ndalojë askujt që të paraqitet në konkurs.

“Ne duhet patjetër t’i respektojmë ligjet dhe kushtetutën e shtetit, ne do të mundohemi, unë personalisht do të angazhohem dhe sot kam kërkuar nga shërbimet të më dorëzojnë listë të të gjithë të punësuarve me marrëveshje në vepër nëpër shtet, që ta dijmë se sa është numri. Tani a do të ketë ndonjë lëshim, ne nuk mundemi të jemi idealë, mund të ndodh, por e dini se nuk mund t’ja mohoni askujt të drejtën që të paraqitet në konkurs…do të jemi shumë të kujdesshëm, por nuk e di a do të ketë lëshime, unë pajtohem me ju, se ndoshta do të ketë, por ne do të mundohemi që këto lëshime të jenë minimale”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare punësimet e paralajmëruara i cilësojnë si ryshfet parazgjedhor dhe kjo masë nuk do të zbusë pakënaqësinë e punonjësve shëndetësore dhe nuk parandalon largim e tyre.

“Pas 7 vitesh neglizhencë të stafit me kontratë në vepër, qeveria në ikje po bën sërish manipulime për pika të imta politike me njoftime të paqarta. Punonjësit shëndetësorë nuk janë fare të informuar për procedurat dhe kriteret e punësimit dhe as se si është arritur shifra e 1117 punësimeve parazgjedhore dhe të shpallura në mënyrë manipulative”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi punësime të reja në janar dhe theksoi se do të ketë sistematizim cilësor në të gjithë institucionet shëndetësore. /Alsat.mk