Rajoni

Naim Murseli dyshohet se pagoi 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij

Shpërndaje

Një shumë prej 30 mijë eurosh dyshohet se janë dhënë për vrasjen e Liridona Murselit, gruas së Naim Murselit.

Ky i fundit u arrestua gjatë ditës së sotme nën dyshimet se pagoi vrasjen e gruas së tij.

I dyshuari i dytë si autor i vrasjes, u arrestua dhe në deklarimin e tij para organeve të hetuesisë ai kishte thënë se u pagua për të kryer vrasjen. Policia kishte lokalizuar dhe identifikuar vendndodhjen e të dyshuarit në Gjakovë, përderisa po kryhen kontrolle policore në dy lokacione atje.

E Naim Murseli, siç mëson KALLXO.com, ende nuk është deklaruar për ngjarjen, pra ende as nuk ka mohuar e as pohuar rrëfimin e të dyshuarit për vrasjen.

Vrasja e Liridona Murselit fillimisht u raportua se ajo ishte qëlluar me armë zjarri gjatë një grabitje të armatosur që ndodhi në veturën e Naim Murselit, në të cilën ndodheshin edhe fëmijët e tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Admaj-Murseli, bashkëshortin e viktimës – Naim Murseli dhe dorasin e saj G.P.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.