Tragjedia në Çellopek/Identifikohen viktimat, në vendin e ngjarjes u gjetën 3 pistoleta

Shpërndaje

Policia ka dalë me detaje shtesë për tragjedinë që ndodhi dje në Çellopek, ku mbetën të vrarë dy persona ndërsa u plagos një tjetër dhe personi që dyshohet që ka kryer vrasjet. Policia tashmë ka identifikuar edhe dy viktimat.

“Policia ka privuar nga liria I.I.(59) nga fshati Çellopek, pas kallëzimit se rreth orës 14.10, se në fshat ka vrarë me armë zjarri të afërmit e tij F.XH. (52) dhe M.XH. (28) dhe ka plagosur A.XH.(54), të gjithë nga i njëjti fshat. I dyshuari, i cili gjithashtu është plagosur me armë zjarri, është ndaluar në stacionin policor dhe është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore”, thonë nga MPB.

Dy nga të vrarët të moshës 52 dhe 28 vjeçe janë babë e bir, ndërsa i plagosuri është 54-vjeçar, të gjithë familjarë të të dyshuarit për vrasjet, 59-vjeçarit I.I.

Nga MPB thonë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 pistoleta.

“Kontroll në vendin e ngjarjes ka kryer edhe prokurori publik dhe ekipi inspektues i SPB-Tetovë, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar 3 armë. Njëra armë i është marrë të arrestuarit, ndërsa dy të tjerat janë gjetur në afërsi të të ndjerëve F.XH. dhe M.XH.”, shtojnë nga MPB.

TV21 hulumtoi profilin e 59-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e dyfishtë, sipas të dhënave në polici, i njëjti ishte arrestuar me 22 shkurt të vitit 2021, pasi me armë e kishte kërcënuar mjekun e fshatit.

Motivet ende nuk janë bërë të ditura, por ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dje tha se deri në këtë tragjedi kanë çuar çështjet e pazgjidhura pronësore.