Türkiye, arrestohen tre të dyshuar për sulmin ndaj arbitrit

Shpërndaje

Policia turke ka arrestuar tre të dyshuar për sulmin ndaj arbitrit të futbollit Halil Umut Meler pas ndeshjes së Superligës, kurse në mesin e të arrestuarve është edhe presidenti i klubit të futbollit Ankaragücü, Faruk Koca, raporton Anadolu.

Sulmi ndaj arbitrit ka ndodhur në fushën e stadiumit në Ankara pas përfundimit të ndeshjes së Superligës mes Ankaragücü dhe Çaykur Rizespor (1:1).

Ministri turk i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, ka njoftuar në rrjetet sociale se prokuroria kompetente po heton për të gjitha detajet e ngjarjes.

“I dyshuari F.K, S.Y.S. dhe K.C. janë arrestuar pas seancës në Prokurorinë kryesore publike në Ankara-Perëndim, për veprën penale ‘për shkaktimin e lëndimit të zyrtarit publik në fushën sportive gjatë detyrës publike’. Sipas analizës së videos, të dyshuarit zbritën në fushë në fund të ndeshjes dhe sulmuan arbitrin”, tha ministri turk Tunç.