Gjykata Administrative i kthen kompetencat Komunës së Tetovës për Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”

Shpërndaje

Komuna e Tetovës njofton se Gjykata Administrative ja ka kthyer kompetencat në lidhje me funksionimin e përgjithshëm të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” – Komuna e Tetovës.

Njoftimi nga Komuna e Tetovës:
Gjykata Administrative kthen kompetencat tek Komuna e Tetovës për Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Ju njoftojmë se dje kemi marrë aktgjykimin e Gjykatës Administrative me të cilin anulohet vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me nr. 08-7903/1 të datës 19.07.2023, me të cilin kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i janë hequr kompetenca në lidhje me funksionimin e përgjithshëm të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” – Komuna e Tetovës. Gjegjësisht, Gjykata Administrative në aktgjykimin e saj të qartë, të prerë dhe kategorik ka konstatuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Mesëm, se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë një vendim krejtësisht të pasaktë dhe të kundërligjshëm për heqjen e kompetencës të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vazhduar fare me vërtetimin e fakteve dhe provave që do të përbënin bazë për marrjen e vendimit me të cilin kryetarit të komunës i është hequr kompetenca dhe kredencialet në lidhje me Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.
Dëshirojmë të theksojmë se Gjykata Administrative ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar për revokimin e kompetencave të kryetarit të Komunës së Tetovës dhe në aktgjykimin e saj ka theksuar qartë dhe pa mëdyshje se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për arsimin e mesëm dhe se është konstatuar se gjendja faktike ka rezultuar të ishte e paplotë dhe jo korrekte dhe se është vepruar në dëm të Komunës së Tetovës. Nga kjo rrjedh se me këtë aktvendim të Gjykatës Administrative kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i kthehen kompetencat në lidhje me funksionimin e përgjithshëm të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”.
Të nderuara media,
Ky aktgjykim është një fitore e drejtësisë; është një përgjigje e fuqishme ndaj përpjekjeve të paligjshme për të ndikuar në vendimet dhe funksionimin e institucioneve arsimore. Kjo një fitore që shpërfill lojërat politike që dëmtojnë qytetarët.
Kjo fitore e drejtësisë nuk është vetëm një triumf për institucionet arsimore, por një sfidë e fuqishme kundër lojërave politike që në çdo rrethanë, janë përpjekur të korruptojnë dhe të ndikojnë në drejtësinë dhe integritetin e sistemit arsimor. Në këtë moment, ne duam të theksojmë se ne nuk mund të lejojmë që korrupsioni të kalojë nën heshtjen e paligjshme; duhet të përballojmë me vendosmëri çdo përpjekje për të manipuluar dhe korruptuar institucionet tona arsimore.
Kjo fitore nuk është vetëm për një individ apo një komunitet specifik, por për të gjithë qytetarët tanë. Është një shembull se me një sistem ligjor të fuqishëm, mund të mbrojmë të drejtat dhe integritetin e të gjithë nxënësve tanë. Ne sot bëjmë thirrje deri tek opinioni publik të mbështesin këtë fitore të drejtësisë dhe të angazhohen në luftën kundër korrupsionit në arsim, sepse një arsim i pastër është themelimi i një shoqërie të drejtë dhe zhvillimore. Bashkë me këtë, kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të kompensojë mjetet buxhetore për periudhën nga janari 2024 deri më korrik 2024.
JU FALEMINDERIT