Kurti: Flijimi i dëshmorëve ka monumentalizuar themelet e shtetit tonë

Shpërndaje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë në kujtimin e rënies së dëshmorëve Memë dhe Prend Zef Lleshi në fshatin Vraniq të komunës së Gjakovës. Ai së bashku me familjen Lleshi dhe me bashkëpunëtorë nga Gjakova, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve.

“Aty prehen në varre të katër bijtë e familjes Lleshi, dëshmorë të kombit, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në betejë të drejtpërdrejtë për lirinë e atdheut. Ata janë: Mark Lleshi, Kolë Gjon Lleshi, Memë Zef Lleshi dhe Prend Zef Lleshi. Mema dhe Prendi ranë dëshmorë 25 vite më parë, më 28 janar 1999, në luftime me forcat e Serbisë në Goden të Hasit, kurse Marku me Kolën qenë përjetësuar si dëshmorë më 7 gusht 1998, në luftimet që kanë marrë emrin beteja e Markalleshëve”, ka shkruar Kurti.

Ai, mes tjerash shtoi se angazhimi dhe lufta totale e familjeve shqiptare sikur rasti i familjes Lleshi, e kanë shtruar rrugën nëpër të cilën është ecur deri te liria e Kosovës.

“E gjithë përpjekja dhe flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar, është e monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës, shtetit tonë që duam, që duhet dhe që po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më të fortë! Lavdi dëshmorëve Memë, Prend, Mark dhe Kolë Lleshi, për luftën e tyre dhe jetën e dhënë për liri!”, ka shkruar Kurti.