RajoniTop Lajme

Kurti sfidon QUINT-in për dinarin: Euro, valuta e vetme e lejuar në Kosovë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u tërhoq nga qëndrimi për dinarin serb dhe pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos i trazuar më shumë ujërat tani me komunitetin serb atje, i përsëriti ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë valuta e vetme e lejuar për përdorim në transaksionet me para kesh është euroja.

Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës, BQK, nxori një rregullore e cila dikton që nisur nga 1 shkurti, të gjitha veprimet me para kesh kudo në Kosovë, të bëhen me monedhën e përbashkët europiane. Kurti madje i kërkoi vendeve të QUINT-it ta respektojnë vendimin e Bankës Qendrore.

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Takimi i tij me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, erdhi pak ditë pasi SHBA-ja i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishqyrtojë vendimin e BQK-së për dinarin, ndërsa Bashkimi Europian i kërkoi sqarime për të.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar për më shumë se dy dekada monedhën serbe për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante. Dinarët në Kosovë kanë mbërritur për vite me radhë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën veriore të Leposavicit. Sipas Listës Serbe, me këtë lëvizje, politikëbërësit kosovarë po përpiqen t’i dëbojnë serbët “pa përdorur armë”.

Postimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Takimi u zhvillua kuadër të takimeve të rregullta me ambasadorët, në qëllim të informimit, diskutimit dhe koordinimit mbi temat të ndryshme aktuale.

Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.