Rama: 21 Janari, krim shtetëror i pahetuar!

Shpërndaje

“Drejtësi për 21 Janarin” ishte edhe në këtë përvjetor të 13-të mesazhi i Kryeministrit Rama, i cili sikundër çdo vit, i shoqëruar nga familjarët e 4 protestuesve të vrarë përpara Kryeministrisë zhvilloi homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e kombit”.

Me sytë nga Gjykata e Lartë, Rama kërkoi nga SPAK-u hetimin e krimit shtetëror, duke atakuar segmente të caktuara të Prokurorisë së Tiranës, të cilët i akuzoi se mbajnë peng çuarjen e autorëve përpara drejtësisë.

“27 Shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 Janarit” do t’i kalojë për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut , apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”.

21 Janarin e cilëson provë ulëritëse për thellimin e Reformës në Drejtësi, proces që sipas tij mbetet sfidë kombëtare për organet e reja të drejtësisë, ndaj të cilit nuk e fsheh edhe skepticizmin.

“Këtë që bëri Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, a mos vallë ishte kaq e vështirë ta bënte vetë sistemi? Ndërkohë që pikëpyetja është, a duhet të përgatitemi edhe për më të keqen që përsëri sistemi të mos veprojë edhe në bazë të detyrimit që lind nga vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Për Ulsi Manjën, 21 Janari nuk mund të shërbejë më si alibi për sistemin e drejtësisë.

“Tani presim drejtësinë e munguar jo nga magjistratë frikacakë që merren me faktin penal, e që provat i kanë aty e hezitojnë t’i bien çekiçit, por nga magjistratë të ndershëm”.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.