Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Shpërndaje

Në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, të shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të freskëta te varri i tij.

Kryeministri tha se Presidentin Rugova e kujtojmë për rolin dhe kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Ai shtoi se si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.

Paraprakisht në mëngjesin e ditës së sotme, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministri Çeku, kishin vizituar familjen Rugova të cilën e njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.

Deklarata e plotë për media e Kryeministrit Kurti pas homazheve:

Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e saj, zonjën Vjosa Osmani Sadriu dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili është edhe Presidenti i parë i Republikës së Kosovës kur republika ishte republikë për rezistencë ndaj okupimit dhe aparteidit të Serbisë në Kosovë, por edhe Presidenti i parë i Kosovës së çliruar.

Sot, në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile.

Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.

U prehtë në paqe dhe i qetë.

Kryeministri Kurti viziton familjen e e ish Presidentit Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova

Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë.
Në nderim të figurës së tij dhe kontributit të madh për kombin dhe shtetin tonë, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrin Çeku vizituam familjen Rugova: bashkëshorten Fanë, vajzën Teuta, djemtë Mendimin dhe Ukën me bashkëshortet e tyre Blerinën dhe Blertën.
Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.
Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot.