MaqedoniTop Lajme

FOTO LAJM/ Aktivistë të ASH-së mblidhen para shtëpisë së Taravarit në shenjë solidarizimi

Shpërndaje

Kryetar të degëve, nëndegëve, aktivistë të ASH – së dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit po mblidhen përpara shtëpisë së kryetarit Arben Taravari në përkrahje të tij kundrejt zhvillimeve të fundit në ASH, shkruan FLAKA.

Solidarizimi vjen poashtu pasi mëngjesin e sotëm Taravari duke shkuar për në punë në oborrin e shtëpisë së tij në Gostivar, gjeti një plumb automatiku.

Rastin e konfirmoi edhe policia, ndërsa organet e hetuesisë vazhdojnë me hetimin.

Në reagimin e tij kreu i ASH-së Arben Taravari thotë se ndjen keqardhje për ngjarjen, ndërsa thotë se qëllimi i këtij akti është heshtja e të tij. Ky veprim sipas Taravarit dëshmon për dëshpërimin e thellë në të cilin ndodhen ata që e mbajnë peng këtë vend.

“Është në hall të madh kushdo që i mbaron fjala dhe i mbetet vetëm plumbi. Kujtdo që e ka lëshuar atë plumb, i them se edhe sikur artileri të rëndë të lëshoni, ndryshimi ka filluar dhe nuk asgjë që e ndal. Ju mund të më vrisni mua dhe kjo do të ishte një humbje e madhe për familjen time dhe më vjen keq që këtë po e lexojnë edhe fëmijët e mi, por ju do të vrisnit vetëm një njeri, por çfarë do t’i bëni mijëra, qindra-mijërave e miliona njerëzve që tashmë janë ngritur në këtë? Ju nuk do të mund të më heshtni. Ju nuk mund të heshtni, vrisni, ndaloni një popull. Ndryshimin e kemi filluar dhe me mua ose pa mua, ndryshimi u kry”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Plumbi në oborrin e Taravarit u gjet pas njoftimit të tij për bashkëngjitje me opozitën shqiptare. Ndërkohë zyrtarë të Aleancës për Shqiptarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe maturi. Sipas tyre ASH-ja është e të gjithëve dhe se nuk ka nevojë për tensione e kërcënime të ndryshme pasi edhe ndarjet duhet të jenë të civilizuara dhe me dinjitet.