Kovaçevski takon Taravarin në selinë e LSDM-së

Shpërndaje

Dy ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në shoqërinë e liderëve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari sot ishte në takim te kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski. Në publikimin e tij në rrjetet sociale Kovaçevski shkruan për takimin.

“Biseduam për realizimin e programit të Qeverisë, për dinamikën e punës në periudhën e ardhshme si dhe për politikat të cilat nënkuptojnë plotësimin e qëllimit strategjik të vendit për anëtarësim në BE dhe partneritetin me SHBA-të”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Ky takim vjen pikërisht në momentin kur opozita shqiptare flet për një kandidat të përbashkët për president në zgjedhjet e prillit, për të cilin paralajmëroi edhe kryeministri Kurti në komunikatën e tij pas takimit me Taravarin, Mexhitin, Gashin dhe Kasamin. Madje liderët e LEN nuk hezitojnë të pranojnë se ja kanë ofruar Taravarit edhe opsionin e kandidimit. Këtë e pranoi edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi në intervistë për Alsat.

“Nëse z. Taravari ju bashkohet, do të kishit qenë të gatshëm t’ja leni atij pozitën e kandidatit për president? Po, pse jo! Si formë kompenzimi ndoshta për bashkëpunimin? Ne jemi të gatshëm për çfarëdo opsioni. E kemi folur në forma të ndryshme. Për hirë të së vërtetës kjo çështje i mbetet z. Taravari ta diskutojë me partinë e tij. Ne këtë e kemi analizuar për secilin prej nesh, për plot kandidatura dhe emra, në funksion të rritjes së votës dhe unifikimit të votës”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Por Taravari shkurt në një prononcim për MIA-n ka deklaruar se nuk është i interesuar.

“Opozita shqiptare ka biseduar me mua që unë të jem kandidat për president por unë nuk jam i interesuar”, theksoi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

ASH-ja vazhdimisht ka thënë se vendimin final për mënyrën e veprimit në periudhën parazgjedhore do ta marrë në mbledhjen e Kuvendit Qendror i cili nuk është caktuar akoma.

Ndërkohë, takimi i sotëm i Taravarit me Kovaçevskin vjen edhe pas komunikatës që u shpërnda një ditë më parë në media se Taravari kishte takuar kreun e opozitës maqedonase Hristijan Mickoskit në selinë e partisë opozitare. Lajmi u shpërnda edhe në postën elektronike të mediave, nga Klan Maqedonia, i cili së fundmi lidhet jozyrtarisht me emrin e ish zv/kryeministrin Artan Grubi, gjë që deri tani nuk ka qenë praktikë. Informacioni më vonë u përgënjeshtrua nga Aleanca për Shqiptarët por edhe nga VMRO-DPMNE-ja kurse media që shpërndau komunikatën kërkoi falje. Nga partia e Mickoskit pyetën se nga e dinte Grubi, i cili shetitet për blerje rrugëve të Austrisë, se Taravari ka takuar Mickoskin. Nga atje publikuan edhe fotografi të Grubit, që pretendojnë se ndodhet në Austri./Alsat.mk