Kryeministri holandez Rutte pranë udhëheqjes së NATO-s

Shpërndaje

Presidenti amerikan Joe Biden e zgjodhi kandidatin e preferuar për të drejtuar aleancën politike e ushtarake të NATO-s. Ai është kryeministri holandez Mark Rutte. Pas Uashingtonit, mbështetje në bllok të enjten dha edhe Britania, Franca dhe Gjermania.

Mark Rutte, nëse zgjidhet, do të zëvendësojë Jens Stoltenberg-un në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe me marrjen e mbështetjes amerikane vihet në një pozicion të fortë në garën për kreun e aleancës.

Pasardhësi i Stoltenberg-ut do të marrë detyrën në një çast vendimtar, i ngarkuar me koordinimin e anëtarëve të NATO-s për të vazhduar mbështetjen e kushtueshme ushtarake për Ukrainën dy vjet në luftë me Rusinë dhe ndërkohë mbrohet nga çdo përshkallëzim që mund ta tërheqë aleancën në një luftë drejtpërdrejt me Moskën.

Në varësi të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA, shefit të ardhshëm të NATO-s mund t’i duhet të merret me një mandat të dytë të Donald Trump-it, i cili u kritikua ashpër nga zyrtarët perëndimorë në fillim të këtij muaji për vënien në pikëpyetje të angazhimit amerikan për të mbrojtur aleatët nëse sulmohen nga Rusia.

E themeluar në vitin 1949 për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, NATO-ja është një aleancë politike dhe ushtarake e vendeve nga Amerika e Veriut dhe Europa. I mishëruar në nenin 5 të traktatit të tij themelues është parimi i mbrojtjes kolektive, ku një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.

Udhëheqësi më jetëgjatë i Holandës, 57-vjeçari Mark Rutte ka pasur marrëdhënie të mira me udhëheqës të ndryshëm britanikë, të Bashkimit Europian dhe të ShBA-së, përfshirë me Donald Trump-in gjatë mandatit të tij.