Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kurti takohet me Lord Stuart Peach, Mitsotakis dhe Željko Komšić

Shpërndaje

Kryeministri Kurti takoi të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu zhvilloi një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe situata e sigurisë në rajon, ishin dy prej pikave kryesore të takimit.

Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

Kryeministri Kurti takoi kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis
Në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një takim bilateral me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë të cilit u diskutua për çështje me interes të përbashkët.

Zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe rregullorja e Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ishin temat kryesore.

Theks të veçantë gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti i dha prioritizimit që i ka bërë Qeveria energjisë së ripërtëritshme dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investime në këtë sektor. Ai e njoftoi kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MW, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke.

Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željko Komšić

Takimet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i filloi me një bashkëbisedim me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željko Komšić.

Bashkë ata diskutuan për zhvillimet e fundit në dy shtetet respektive dhe ndanë këndvështrimet e tyre mbi ato në rajon, me theks në rrafshin e sigurisë.

Kryeministri Kurti foli për temat aktuale, përfshirë Rregulloren e Bankës Qendrore, objektivat e saj, dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet për të lehtësuar zbatimin e saj paralelisht me informimin e duhur publik.

U bisedua për përfitimet nga bashkëpunimi rajonal si dhe sfidat në këtë drejtim. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve.

Kjo marrëveshje do të lehtësonte rritjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.