Xhaferi për Dojçe Vele: Prioritet është koordinimi i plotë institucional për të siguruar funksionalitet dhe qasje të lehtë në dokumentet e reja të udhëtimit

Shpërndaje

Kryeministri Talat Xhaferi në intervistën për “Dojçe Vele” deklaroi se nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund ta lehtësojnë procesin me dokumentet udhëtimit.

“Ne së pari duhet të marrim masa dhe aktivitete që janë në kompetencën dhe përgjegjësinë tonë. Nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund të lehtësojnë procesin. Por së pari ne duhet të përmbushim detyrimet tona këtu, të zbatojmë detyrimet tona. Ajo që nuk mund të përfundohet është subjekt i shqyrtimit të mëtejshëm dhe në atë rrugë do të komunikohen të gjithë faktorët të cilët mund të ndikojnë në rregullimin e kësaj gjendje, që të plotësohen të gjitha obligimet në afat të duhur, kohë dhe procedurë për të siguruar funksionalitetin e nevojave të njerëzve”, tha Kryeministri Talat Xhaferi i pyetur nëse Qeveria do të marrë masa për lehtësimin e gjendjes me dokumentet e udhëtimit edhe në komunikim me Greqinë.

Në pyetjen nëse më 12 shkurt Republika e Maqedonisë së Veriut, Qeveria ka obligim të informojë botën se ato dokumente udhëtimi nuk janë më të vlefshme, Kryeministri Xhaferi theksoi se këto janë norma dhe rregullore ndërkombëtare që janë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por theksoi se do të bëhen konsultime të duhura në nivel të Qeverisë, konsultime me institucionet ndërkombëtare dhe pas konsultimeve do të ketë një vendim përfundimtar nëse do të vazhdohet apo jo me atë procedurë.

Në lidhje me pyetjen se a do të zgjidhet gjendja së shpejti dhe a do të përshpejtohet procedura e pasaportave, Kryeministri Xhaferi është përgjigjur se ajo që është përgjegjësi e Qeverisë do të rregullohet me vendime përkatëse, por më tej, siç tha Kryeministri, vendimet duhet të zbatohen në mënyrë operative nga institucionet përkatëse.

“Kjo çështje nuk varet vetëm nga ministri, kryeministri apo Qeveria. Ky është një konglomerat detyrimesh që nga punonjësi i fundit në MPB e deri te punonjësi i fundit në Qeveri dhe kjo punë duhet të jetë e koordinuar. Është një sistem që ka një hierarki dhe duhet të funksionojë. Është sistem vartësie në institucione”, tha Kryeministri Xhaferi.

Xhaferi për “Dojçe Vele”: Qeveria është e qytetarëve dhe shtetit, zgjedhja e kryeministrit shqiptar do të thotë përforcim i vlerave evropiane

Kryeministri Xhaferi në intervistën për “Dojçe Vele” ka theksuar se duke pasur parasysh përvojën e tij shumëvjeçare politike dhe institucionale, ndihet komod në kryerjen e postit të ri të kryeministrit. Ai iu referua faktit se qeveritë u takojnë qytetarëve dhe shtetit dhe jo partive dhe se institucionet nuk mund të trajtohen si pronë personale e dikujt. Njëkohësisht, në intervistë ai theksoi se ajo që është e rëndësishme dhe prioritare pas ardhjes së tij në detyrë është institucioni që ai drejton të vazhdojë të jetë funksional dhe të vazhdojë të marrë vendime në interes të nevojave të qytetarëve.

“Qeveria është e qytetarëve dhe e shtetit, kështu që si institucion nuk mund të trajtohet si e imja, e juaja, Qeveria yte. Qeveria është e shtetit dhe pjesëmarrësit në atë qeverisje janë subjekte të ndryshme sipas gjendjeve tona aktuale, në kuptim të laramanisë të subjekteve politike që marrin pjesë”, theksoi Kryeministri Xhaferi.

Në lidhje me zgjedhjen e një kryeministri shqiptarë, Kryeministri Xhaferi theksoi se kjo është mbi të gjitha një vlerë e shtuar e reformave që po ndodhin në vend, duke pasur parasysh faktin se kjo zgjedhje në afat të gjatë do të nënkuptojë ndryshim të perceptimeve për të drejtat dhe mundësitë e të gjithë qytetarëve për të menaxhuar vendin, por edhe në raport me përgjegjësinë që sjell menaxhimi.

Në atë drejtim, ai theksoi se është shumë e rëndësishme të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të kenë pjesë dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në menaxhimin dhe funksionimin e shtetit, sepse ajo qasje nënkupton edhe përforcimin e ndjenjës së përkatësisë së të gjithë qytetarëve, por gjithashtu do të thotë dhe përforcim i vlerave evropiane.

“Të gjithë ne kemi të njëjtat detyrime ndaj shtetit. Të gjithë kontribuojmë për shtetin dhe është normale që të gjithë duhet të kemi të drejtë të menaxhojmë edhe institucionet”- tha Kryeministri Xhaferi në intervistën për “Dojçe Vele”.