BDI i ka ofruar ASH-së së Selës 5 deri në 6 deputetë?

Shpërndaje

Aleancës për Shqiptarët të drejtuar nga Ziadin Sela, BDI i ka ofruar 5 deri në 6 deputetë, thanë për TV21 burime partiake nga ASH. Të njëjtat burime, pa dhënë më shumë hollësi rreth bisedimeve që po zhvillohen mes dy partive, thonë po ashtu se janë duke pritur që të formohen organet e reja të ASH-së që më pas të bisedohet konkretisht për detajet rreth pozicionimeve në listat zgjedhore nëse shkohet në koalicion të përbashkët.

Këto informacione TV21 i merr vesh pasi sot raportoi se brenda BDI-së ka nisur një revoltë dhe presion ndaj kreut të partisë Ali Ahmeti se ASH krahu i Selës i ka rritur ambiciet dhe po kërkon 3 deri 5 deputetë për të shkuar me lista të përbashkëta. Si pasojë e kësaj, burime brenda integristëve i thanë TV21 se, një grup bashkëpartiakësh të Ahmetit ka shprehur shqetësim se BDI po u ofron shumë partnerëve të mundshëm të koalicionit. Burimi me të cilin bisedoi TV21 thotë se po përpiqen ta bindin kryesinë e partisë se është më mirë të dalin vetë në zgjedhje, sesa t’u japin shumë deputetë partnerëve të koalicionit, të cilët, nëse do të dalin vetë në zgjedhje, siç thotë burimi, nuk të fitojnë më shumë se 1 apo 2 deputetë.