MaqedoniTop Lajme

BDI kërkon përgjegjësi për ndërhyrjen policore ndaj studentëve!

Shpërndaje

Tensionet rreth protestës së studentëve shqiptarë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe kanë nxitur përplasje të forta politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN. Shkas u bënë video-incizimet e publikuara në media, ku shihen përplasje dhe ndërhyrje të policisë ndaj studentëve nga Tirana, të cilët kishin ardhur në mbështetje të protestës në Shkup. Nga BDI akuzojnë institucionet për, siç thonë, presion dhe keqtrajtim ndaj studentëve shqiptarë, duke e cilësuar ndërhyrjen policore si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.

Reagim i BDI-së:
Video-incizimet e publikuara sot në media, ku shihet trajtimi apo më mirë të themi keqtrajtimi i studentëve shqiptarë nga Tirana nga ana e policisë, janë dëshmi e një skandali institucional.
Ata studentë nuk erdhën për të provokuar askënd. Erdhën për të mbështetur studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në kërkesën e tyre të drejtë për përdorimin zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe.
T’i ndalosh, t’i pengosh dhe t’i trajtosh si kërcënim studentët që solidarizohen me një kauzë gjuhësore e kombëtare, është akt i papranueshëm. Deklarata e tyre se janë ndjerë “të marrë peng” e tregon qartë përmasën e këtij keqtrajtimi.
Ky nuk është rend publik. Ky është presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe ndaj çdo zëri që kërkon barazi. Aq më tepër skandaloze është kërcënimi me ulurima i policëve nfaj fëmijëve në anglisht “mbylle gojën” dhe goditja me grusht në gjoksin e një të mituri.
BDI kërkon dorëheqje nga zëvendësministri Astrit Iseni. Kërkon përgjegjësi të menjëhershme nga MPB dhe sqarim publik për çdo veprim policor. Në një shtet demokratik nuk pengohen studentët që kërkojnë e drejta të respektohen. Ndërsa gjysëmkryetarët e VLEN-it nuk guxojnë zë të nxjerrin. Turp!!!

Ja si janë keqtrajtuar studentët shqiptarë nga Tirana, të cilët ishin nisur për të mbështetur studentët në protestat e zhvilluara në Shkup!