Dështimi i ndërtimit të fabrikës për vetura elektrike në Tetovë, VLEN ironizon me BDI-në përmes veturave lodra për fëmijë

Shpërndaje

Të rinjtë e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut (VLEN) sot para Zonës Zhvillimore Industriale Teknologjike kanë ironizuar me përfaqësuesit e BDI-së, pasi dështoi projekti për ndërtimin e fabrikës “E-GO”, për prodhimin e veturave elektrike në Tetovë, përcjell TV21. Të rinjtë e VLEN, që u paraqitën me masa nga fytyra të eksponentëve të BDI-së dhe vetura lodra për fëmijë, kërkojnë përgjegjësi për këtë dështim, ndërsa pyesin nëse shteti ka paguar para si ndihmë ndaj kompanisë.

“Siç po e shihni vetë, se edhe pas dy viteve premtim, përveç disa lopatave beton, në vendin ku duhej të ndërtohet fabrika për prodhimin e veturave elektrike E-GO, nuk ka asnjë fabrikë e as vetura. E ajo që është skandaloze, para disa ditëve qeveria ndërpreu marrëveshjen për ndërtimin e kësaj fabrike. BDI realizoi edhe një mashtrim që i shtohet listës së mashtrimeve dy dekadëshe. Nga Fabrika e premtuar mbetën vetëm fjalimet dhe fotografitë e Ali Ahmetit, Artan Grubit, Dimitar Kovaçevskit, Kreshnik Bekteshit dhe gjithë funksionarëve të BDI-së, të cilët mashtruan, por fytyra nuk u skuqet aspak. Sado që mundohen ta heshtin këtë dështim e mashtrim, BDI duhet të jap llogari. Ajo duhet tu përgjigjet qytetarëve për dy çështje: Pse u dështoi ndërtimi i fabrikës dhe investimi prej 130 milionë euro? A u ka dhënë Qeveria investitorëve para nga buxheti, ashtu siç premtoi se do u japë 45 milion euro?”, thonë nga VLEN.