Krimineli Milan Radojiçiq darkon me Gjuriqin?!

Shpërndaje

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Jakub Bielamowicz, ka publikuar një fotografi ku shihet terroristi Milan Radojiçiç i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, duke darkuar në një restorant së bashku me ambasadorin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç.

“Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç, i cili gjithashtu pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Serbisë, shihet duke darkuar me Milan Radojiçiçin e kërkuar nga Interpoli dhe të sanksionuar nga SHBA, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë Vuçiç, i cili qëndroi pas sulmit në Banjë që la një polic të Kosovës të vdekur”, shkroi Bielamowicz në platformën X.

Ndryshe, në fund të muajit të kaluar, lideri i Lëvizjes “Dashuri, besim, shpresë”, në Serbi, Nemanja Sharoviç, ka publikuar disa pamje ku shihen disa fishekzjarre, që sipas tij, janë ndezur për të festuar ditëlindjen e Radojiçiç-it.

Siç mund edhe të shihet në videon që është publikuar nga Sharoviç në platformën X, disa burra mbajnë një pankartë në duar me mbishkrimin “Gëzuar ditëlindjen komandant”, dhe që thuhet se kjo ka ndodhur në Kopaonik – lokacion në kufi me Kosovën.

Terroristi Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, aktualisht është në kërkim nga INTERPOL-i, për shkak të sulmit në Banjë. Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com