VMRO DPMNE promovoi kandidatët për deputetë. LSDM: Mbi 80% të njëjtët deputetë që bllokuan rrugën për në BE

Shpërndaje

VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia jote” promovoi kandidatët për deputet në zgjedhjet parlamentare. Në sallën e Filarmonisë në Shkup, plot duartrokitje dhe ovacione, u prezantuan bartësit e listave dhe kandidatët në 6 njësi zgjedhore.

Filloi me zonën e gjashtë, ku bartëse është deputetja aktuale Dafina Stojanoska, e cila u shpreh se VMRO i ka parë të gjitha gabimet në të kaluarën nga të cilat ka nxjerrë mësime, andaj i ftoi të gjithë për dalje masive, sepse siç tha, ndryshimet janë në dorën e qytetarit.

Kjo VMRO-DPMNE premton pa kompromis luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo VMRO-DPMNE e zgjat dorën për të gjithë. Kjo VMRO-DPMNE qëndron krenare për pikëpamjet dhe premtimet e saj, tha Dafina Stojanoska, bartëse e listës NJZ6.

Bartësi i listës së njësisë zgjedhore 5, Gjorgjia Sajkovski, kërkoi që të mos lejohet që apatia apo cinizmin të diktojë të ardhmen, por Maqedoninë të ngrihet me krenari dhe dinjitet.

Nuk dua të flas për atë që ishte sepse e keni parë të gjithë por fuqishëm besoj që do të na jepni shanse që t’iu tregojmë dhe ta shikoni që mundemi ndryshe, më mirë dhe më me përgjegjësi, tha Gjorgjia Sajkoski, bartës i listës NJZ5.

Aleksandar Nikollovski, bartës i listës në zonën 4, tha se këto janë zgjedhje që duhet një pjesëmarrje rekord.

Zgjidhja nuk është kur do t’i mbushni 18 vjet pas mbarimit të shkollës së mesme, apo 22,3 vjet pas mbarimit të fakultetit të gjeni biletë më të lirë në “wiz-air” dhe të shkoni nga Maqedonia, dhe të shiheni me prindërit me video-call, tha Aleksandar Nikollovski, bartës i listës NJZ4.

Për bartësin e zonës 3, Dragan Kovaçki, tani është koha të dëgjohet zëri maqedonas për ta sjellë ndryshimet me zë të lartë.

Dërgoj porosi deri tek të gjithë qytetarët që sot nuk janë këtu me ne, vendimi eshët në duart tuaja! Ju vendosni për një Qeveri të VMRO-DPMNE-së që do të punojë me përgjegjësi, tha Dragan Kovaçki, bartës i listës NJZ3.

Vllado Misajllovski, që do t’i prijë listës në njësinë zgjedhore 2, premtoi se DPMNE do ta shkruajë historinë e qytetarëve të kënaqur.

Duam që Maqedonia të bëhet vend më i mirë për të jetuar. T’i mbështesim të rinjtë, t’u krijojmë kushte për jetë më të mirë. Të investojmë edhe te të rriturit, asnjëherë të mos i harrojmë, për këtë po shkojmë përpara, tha Vllado Misaloski, bartës i listës NJZ2.

Në fund foli edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili do të jetë bartës i listës zgjedhore 1, ku forcat do t’i masë me kreun socialdemokrat Dimitar Kovaçevski. Mickoski tha se ka ardhur ora kur të gjithë së bashku duhet t’i ndryshojnë gjërat.

T’u tregojmë të gjithëve që ka shpresë, dhe ne jemi ajo shpresë të fuqishëm dhe të strukturuar, e cila këtë herë ka një synim serioz për ta ripërtëri Maqedoninë, tha Hristijan Mickoski, bartës i listës NJZ1.

LSDM-ja doli me kritika për listat që VMRO-PDMNE-ja garon në zgjedhje parlamentare. Zëdhënësi Darko Kaevski thotë se është listë e bllokimeve, sepse mbi 80% janë të njëjtët deputetë të cilët bllokuan rrugën europiane të vendit.

“Në kohë krize, ata bllokuan ndihmën për qytetarët dhe kompanitë. Ata ishin kundër rritjes së pagës minimale dhe pagave. Ata ishin dhe janë kundër anëtarësimit të vendit në BE. Me të njëjtët persona në listën zgjedhore, Shtëpia e Bardhë konfirmon se vetëm kthimi mbrapa është i mundur me DPMNE-në”, u shpreh Darko Kaeski, zëdhënës i LSDM-së.

Përndryshe, VMRO-DPMNE ka nënshkruar koalicion edhe me 24 parti të tjera më të vogla, me të cilat përbëjnë koalicionin e quajtur “Maqedonia Jote”.