Lansohet programi i Kompaktit MCC-Kosovë: Synohet revolucionarizimi i sektorit të energjisë

Shpërndaje

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.

Në fjalën e saj, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ky projekt nuk është vetëm investim në energji, por edhe në të ardhmen e vendit.

Ajo tha se në qendër të këtij projekti është transformimi i sektorit të energjisë nëpërmjet parimit të barazisë.

Osmani theksoi se MCC fokusohet në projekte që synojnë ruajtjen e energjisë në bateri e që si të tilla do ta revolucionarizojnë sektorin e energjisë së Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti Kurti theksoi se me këtë program synohet që të sigurohet që të rinjtë e vendit që janë të përgatitur profesionalisht të marrin pjesë në sektorin e energjisë moderne në të ardhmen.

Ai gjithashtu premtoi se do të rritet edhe pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë, të paktën 33 për qind deri në vitin 2031.

Kurse në fjalën e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dha më shumë detaje në lidhje me këtë grant.

Ai tha se kompaktet janë grante 5-vjecare mes MCC dhe vendeve që i plotësojnë disa kritere, duke shtuar se është me rëndësi që Kosova është pjesë e atyre vendeve.

Postimi nga Osmani:

Fillimi i transformimit të sektorit të energjisë!
Lansimi i programit Compact ndërmjet MCC dhe Kosovës në vlerë prej 236 milionë dollarësh.

Postimi nga Kurti:

Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot.
236.7 milionë dollarë është vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovë.
Mirënjohës Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Qeverisë amerikane, popullit amerikan në njërën anë dhe ministrisë së Ekonomisë në anën tjetër, për besimin, angazhimin dhe punën e jashtëzakonshme deri më sot dhe sot e tutje, për një të ardhme energjetike të sigurt e të qëndrueshme.