Zgjedhjet 2024/ Skadon afati për listat e deputetëve – në garë 5 koalicione dhe dy parti politike!

Shpërndaje

Së paku 840 kandidatë hyjnë në garën zgjedhore për 120 vendet e përbërjes së ardhshme parlamentare që duhet të formohet pas zgjedhjeve të 8 majit.

Bëhet fjalë për 5 koalicione dhe dy parti që deri tani kanë publikuar listat.

Gjithë këta, duke llogaritur edhe partitë e bllokut shqiptar do të kenë lista të kandidatëve në të 6-të njësitë zgjedhore, madje edhe në Njësinë Zgjedhore numër 3 dhe 4, ku deri tani zakonisht garonin vetëm partitë e bllokut politik maqedonas.

Afati për dorëzimin e listave në KSHZ skadon sonte në mesnatë, kurse zyrtarisht fushata zgjedhore nis më 18 prill.

Por, në terren, fushata tashmë ka filluar, kurse partitë politike nuk janë përmbajtur nga premtime të reja. Lufta kundër korrupsionit, ekonomia dhe varfëria si dhe integrimi në BE, janë temat që dominojnë në diskursin publik.

Ndërkohë, partitë kanë zyrtarizuar koalicionet. LSDM-ja me 15 parti promovoi “Koalicionin për të ardhme evropiane”.

VMRO-DPMNE, në koalicionin “Maqedonia Yte” tuboi rreth 20 parti. Krahas partive tradicionale, në këtë koalicion hyjnë edhe parti që deri tani kishin qenë në koalicion me socialdemokratët.

Në bllokun politik maqedonas paraqitet edhe koalicioni “Me guxim për Maqedoninë” i formuar nga GROM, Integra dhe Partia për Emancipim të Plotë të Romëve.

Në kampin politik shqiptar janë dy koalicione, “Fronti Evropian” që udhëhiqet nga BDI-ja dhe koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare.

Krahas pesë koalicioneve, me kandidatë për deputetë, të vetëm në zgjedhje, do të paraqiten edhe “Levica” si dhe partia “Znam”.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale nis më 4 prill, kurse më 24 prill votohet në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Rrethi I dytë është më 8 maj, kur qytetarët do të votojnë edhe për zgjedhjet parlamentare.