Bota

Erdoğan: Türkiye synon vetëm të detyrojë Izraelin në armëpushim në Gaza

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se qëllimi i vetëm i vendit të tij me pezullimin e tregtisë me Izraelin është të detyrojë Tel Avivin të shpallë armëpushim ndaj ofensivës vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

“Qëllimi ynë i vetëm është të detyrojmë në armëpushim qeverinë e kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, e cila ka dalë jashtë kontrollit për shkak të mbështetjes së pakushtëzuar nga Perëndimi”, tha Erdoğan teksa iu drejtua anëtarëve të një grupi kombëtar biznesi në Istanbul.

Erdoğan në fjalimin e tij para anëtarëve të Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur, iu referua një vendimi të shpallur nga Ministria e Tregtisë e Türkiyes sipas së cilit Ankaraja kishte pezulluar të gjitha operacionet e eksportit dhe importit me Izraelin për shkak të “agresionit të saj kundër Palestinës në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat njerëzore”.

Duke kritikuar edhe një herë vendet perëndimore për mbështetjen e qeverisë së Netanyahut, Erdoğan tha se ai priste që këto vende të “sulmojnë” Türkiyen për vendimin e saj.

“Ne e dimë mirë se si Perëndimi do të na sulmojë për shkak të kufizimeve tona tregtare kundër Izraelit”, tha ai, duke pohuar se Türkiye do të “bëhej një shembull” për vendet e tjera në rajon.

“Kur të arrihet armëpushim dhe të lejohet ndihmë e mjaftueshme në Gaza, qëllimi ynë do të jetë i përmbushur. Veprimi i Türkiye-s do të jetë shembull për shtetet tjera”, tha ai.

Duke bërë thirrje për qetësi në rajon, presidenti turk tha: “Ne nuk kërkojmë armiqësi apo konflikt me asnjë vend në rajonin tonë. Ne nuk duam të shohim përleshje, gjak dhe lot në rajonin tonë”.

Më herët gjatë ditës, Erdoğan kishte thënë se qeveria e tij ndaloi të gjithë tregtinë me Izraelin, e cila arrin në rreth 9.5 miliardë dollarë.

Duke folur me gazetarët pas faljes së namazit të xhumasë në Istanbul, presidenti turk tha se ata “e mbyllën atë derë” në tregtinë me Izraelin në mes të sulmeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës.

“Kishte një vëllim tregtar prej 9.5 miliardë dollarësh mes nesh”, tha Erdoğan, duke iu referuar Türkiyes dhe Izraelit dhe duke shtuar: “Duke injoruar këtë vëllim tregtar, ne mbyllëm derën”.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.600 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.800 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.