Euronews: Refuzimi i Kurtit për Asociacionin shtyri vendimin për KiE

Shpërndaje

Burimet diplomatike kanë thënë për agjencinë e lajmeve “Euronews” se refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka shkaktuar pakënaqësi te Franca, Gjermania dhe Italia.

Sipas këtyre burimeve diplomatike, përcjell gazeta online Reporteri.net, shkaku i këtij refuzimi të Kurtit, tri shtetet e fuqishme evropiane kanë kërkuar nga Këshilli i Evropës që të shtyjë vendimin përfundimtar për pranimin e Kosovës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës nuk do të marrë vendim për anëtarësimin e Kosovës në mesmaj, thuhej në agjendë. Në të njëjtën kohë, sipas Euronews, Prishtinës i është kërkuar që të rregullojë çështjen kushtetuese në lidhje me Asociacionin.

Kurti ka thënë se parakushti i vendosur është i papranueshëm.

Ai ka reaguar duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, të cilat janë miratuar nga komiteti i çështjeve politike dhe që janë votuar në Asamblenë Parlamentare, në fillim të muajit prill.