Kurti: Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) për heqjen e masave të vendosura ndaj saj, raporton Anadolu.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian ka theksuar se këto masa duhet të largohen.

“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe me Planin e Rritjes e me qëllimet e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por edhe të hapë negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.

“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit”, shtoi Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian është diskutuar për përgatitjet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe për reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028.