RajoniTop Lajme

Sulmohet me granatë dore ndërtesa e Komunës së Zveçanit (Foto)

Shpërndaje

Mbrëmë para mesnatës një granatë dore është hedhur në oborrin e Komunës së Zveçanit.

Zëvendrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka thënë se nga sulmi nuk ka të lënduar, por se është dëmtuar ndërtesa e komunës dhe katër vetura që kanë qenë të parkuara aty afër.

“Mbrëmë para mesnate ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit, e po ashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”, ka theksuar Elshani.

Ai ka thënë se Policia është duke e hetuar rastin.

“Policia mbetet e përkushtuar që të vazhdoj të ofroj shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit”, ka deklaruar Elshani.

Në raportin e Policisë rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

“Raportohet se si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur janë dëmtuar disa pjesë të objektit të komunës si dhe xhamat e disa veturave që kanë qenë të parkuara në afërsi. Shpërthimit dyshohet se ka ndodhur nga një mjet shpërthyes (dyshohet granatë dore) që është hedhur nga person/a të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Ky është sulmi i dytë brenda kësaj jave ndaj insitucioneve të Kosovës në veri. Të martën në mbrëmje janë hedhur dy granate dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan.