Maqedoni

Nuk do të ulet çmimi për veturat e vjetëra në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Paralajmërimet për uljen e çmimit të veturave të vjetra nuk do të realizohen. Kompetentët thonë se nuk ka ndryshim të Ligjit për importin e veturave të vjetra

Paralajmërimet për uljen e çmimit të veturave të vjetra nuk do të realizohen. Një muaj më parë pritej të lirohen sidomos veturat më të vjetra se 10 vite për 15-20 për qind. Kjo si rrjedhojë e uljes së taksës së vlerës së shtuar (TVSH) për importin e makinave, që duhej të jetë e vlefshme nga viti i ri. Mirëpo, kompetentët kanë hedhur poshtë informacionet se në vitin 2025, në vend do të voziten vetura më të lira nga importi. Lidhur me atë nëse do të ketë korrigjim të taksave për importin e automjeteve, nga Qeveria thonë se për momentin nuk planifikojnë korrigjimin e ligjit. “Ju njoftojmë se për momentin nuk ka korrigjime apo propozim-ndryshime ligjore për këtë çështje”, thonë nga Qeveria.

Edhe nga Dogana konfirmojnë se nuk ka asnjë ndryshim në ligj në seksionin që i referohet llogaritjes dhe pagesës së taksës për mjetet motorike.

Baza për llogaritjen e taksës për mjetet motorike është sasia e emetimit mesatar të dyoksidit të karbonit – CO2 e shprehur në gram për kilometër në varësi të llojit të karburantit dhe vlerës doganore të mjetit motorik të përcaktuar në përputhje me rregulloret doganore e rritur me shumën e taksës doganore. Vlera doganore përfshin kostot e transportit dhe kostot e sigurimit, nëse ekzistojnë ato.

Në rrugët e Maqedonisë qarkullojnë automjete të vjetra, mosha mesatare e të cilave rritet nga viti në vit. Më shqetësuesja është situata me makinat dhe autobusët e regjistruar, mosha mesatare e të cilëve për vitin 2022 është rritur në 19.5 vjeç, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Në Maqedoni numërohen rreth 480 mijë vetura me moshë mesatare 19.5 vjeç. Rreth 57 për qind e tyre lëvizin me naftë, dhe vetëm 0.03 janë elektrike. Në vitin 2023 në autostradat në mbarë Maqedoninë janë importuar 33.213 vetura të përdorura, që është tre herë më shumë se automjetet e reja.

Arsyeja më e madhe për këtë, sipas ekspertëve, është se shteti nuk subvencionon blerjen e një automjeti të ri me karburant ekologjik si në shumë vende, ndaj qytetarët vendosin të blejnë automjete të përdorura me moshë mesatare mbi 10 vjet.