MaqedoniTop Lajme

VMRO-ja, “ZNAM” dhe “Levica” shkarkuan Ilire Dautin nga kreu i komisionit parlamentar për shkak të Ligjit të “Branitellave”

Shpërndaje

Me 61 vota “Për”, 22 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, deputetët e VMRO-DPMNE-së, Lëvizjes Znam dhe Të Majtës, shkarkuan Ilire Dautin si kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj. Kundër votuan deputetët e Frontit Evropian dhe koalicionit VLEN. Ndërkohë LSDM, që në fillim të seancës braktisi sallën dhe nuk deshën të bëhen pjesë e siç thanë, lojërave politike për ndarje etnike.

“Më duhet të them se nuk do ta mbështesim as interpelancën për Ilire Dautin sepse konsiderojmë se faji nuk qëndron te ajo sa i përket mos caktimit të seancës. Këtu fajin e ka vetëm një person, ai është kryetari i Kuvendit Afrim Gashi i cili ka standarde të dyfishta për sjellje të vendimeve të tilla. Dhe për këtë njoftoj se nuk do të marrim pjesë në debat dhe nuk do të votojmë “PRO” dhe thërras kolegët të braktisim seancën” tha Oliver Spasovski – LSDM.
Interpelancën kundër Dautit, nuk e mbështetën as koalicioni VLEN.

“Unë nuk shoh ndonjë shkelje të koleges Ilire Dauti në komisionin për politikë sociale, e shoh të paarsyeshme këtë interpelancë dhe ne si koalicion VLEN nuk do ta mbështesim këtë interpelancë”, u shpreh Imërlije Saliu – VLEN.

Duke prezantuar interpelancën, nga E Majta thonë se Dauti ka shkelur disa nene të Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit.

“Kryetarja e komisionit për politikë sociale nuk ka thirrur seancë për ligjin e branitellave me çka ajo shkeli nenin 62 paragrafin 3 të Kushtetutës, nenin 14 paragrafi 1 alinea 5 të Kushtetutës dhe nenet 126 dhe 176 të rregullores së Kuvendit, gjegjësisht deputetëve ua shkurtoi të drejtën për fjalë dhe të intervenojnë me amandamente për këtë ligj dhe të drejtën të marrin pjesë në punën e trupave punues të Kuvendit, tha Sashko Jançev – E Majta.

Deputetja Dauti, tha se faji i saj i vetëm është se ka qëlluar shqiptare dhe lufton për të drejtat e veta.

“Me shkarkimin tim sido që të jetë epilogu nuk zgjidhet çështja dhe kjo problematikë. Prandaj kërkesa ime është të ulemi të gjithë bashkë të ripërpunojmë ligjin duke përfshirë palët nën të njëjtat kushte. Edhe forcat e sigurisë edhe ish ushtarët e UÇK-së nën përkujdesjen financiare nga shteti sepse fundja këtë të gjithë e kemi pranuar me përfundimin e konfliktit të armatosur apo luftës në vitin 2001, kur nënshkruam marrëveshje të përbashkët”, u shpreh Ilire Dauti – Kryetare e komisionit.
Në debatin për Dautin partitë u përplasën për tema të ndryshme si për të drejtat e shqiptarëve, ashtu edhe për branitellat e UÇK-në./Alsat.mk