Bota

Alarm në Pentagon, konflikti me Iranin shteron arsenalin e armëve

Shpërndaje

Shtetet e Bashkuara po përballen me një rënie të ndjeshme të rezervave të armëve, në një kohë kur përfshirja në konfliktin me Iranin ka rritur ndjeshëm konsumin e municioneve të avancuara. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe raportimeve mediatike, përdorimi intensiv i raketave precize dhe sistemeve të kushtueshme ka çuar në një zbrazje të shpejtë të depove ushtarake.

Raportime nga media ndërkombëtare, përfshirë CNN, bëjnë të ditur se vetëm në javët e para të konfliktit janë përdorur sasi të mëdha armatimesh, duke përfshirë qindra raketa dhe municione të sofistikuara. Ky ritëm i lartë konsumi ka ngritur shqetësime serioze për qëndrueshmërinë afatgjatë të kapaciteteve ushtarake amerikane.

Burime pranë Pentagonit theksojnë se disa prej armëve kyçe, veçanërisht raketat me rreze të gjatë veprimi, janë drejt shterimit. Ndërkohë, procesi i prodhimit për këto sisteme është kompleks dhe kërkon kohë, në disa raste deri në disa vite, për të rikthyer rezervat në nivelet e mëparshme.

Kjo situatë ka filluar të ketë pasoja konkrete edhe në marrëdhëniet me aleatët. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar disa vende europiane se dërgesat e planifikuara të armëve mund të vonohen për shkak të prioritizimit të nevojave në konfliktin aktual dhe mungesës së rezervave.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kjo mungesë mund të ndikojë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen dhe intensitetin e operacioneve ushtarake amerikane. Në këto kushte, Pentagoni mund të detyrohet të rishikojë strategjinë, duke u mbështetur më shumë në armë më pak të avancuara ose në sisteme që janë më lehtësisht të disponueshme.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se, pavarësisht sfidave, Shtetet e Bashkuara vijojnë të kenë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar operacionet aktuale. Ata pranojnë se situata kërkon menaxhim të kujdesshëm të burimeve, ndërsa shqetësimet për zbrazjen e rezervave mbeten të larta në qarqet ushtarake dhe politike.