Inteligjenca amerikane rrëzon Trump: Irani ende i fortë, gjysma e arsenalit raketor e paprekur
Shërbimet amerikane kundërshtojnë deklaratat e Shtëpisë së Bardhë për “shkatërrim total” të forcave iraniane…
Pas javësh bombardimesh intensive, Irani vijon të ruajë një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të tij ushtarake, ndryshe nga sa deklarojnë publikisht Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni.
Kështu raporton “CBS News”, duke cituar disa burime të inteligjencës amerikane të njohura me situatën.
Sipas këtyre burimeve, rreth gjysma e arsenalit të raketave balistike të Iranit dhe sistemet e tyre të lëshimit mbetën të paprekura në momentin e hyrjes në fuqi të armëpushimit më 8 prill.
Në të njëjtën kohë, rreth 60% e forcave detare të Gardës Revolucionare Islamike vazhdojnë të jenë funksionale, përfshirë edhe mjetet e shpejta detare që përdoren për sulme asimetrike.
Sa i përket forcave ajrore, ato janë goditur ndjeshëm, por jo shkatërruar plotësisht. Sipas një tjetër burimi të cituar nga “CBS”, rreth dy të tretat e kapaciteteve ajrore mbeten ende operative, pavarësisht fushatës së gjerë të bombardimeve nga SHBA dhe Izraeli.
Raportimi i medias amerikane i referohet edhe një deklarate me shkrim të paraqitur në Kongres nga drejtuesi i inteligjencës ushtarake, gjenerali James Adams, ku theksohet: “Irani ruan mijëra raketa dhe dronë sulmues që mund të kërcënojnë ende forcat amerikane dhe aleatët e tyre në rajon, pavarësisht dobësimit të kapaciteteve të tij”.
Këto vlerësime bien në kontrast me deklaratat e mëparshme të presidentit Donald Trump dhe sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, të cilët e kanë cilësuar operacionin amerikan “Epic Fury” si një goditje vendimtare ndaj ushtrisë iraniane.
“Ne neutralizuam flotën e tyre, aviacionin e tyre dhe drejtuesit e tyre”, deklaroi Trump. Ndërsa Hegseth e përshkroi operacionin si “një fitore historike dhe dërrmuese”, duke shtuar se Irani është bërë i paaftë për të zhvilluar operacione për vite me radhë.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar në mënyrë anonime, operacioni ka shkatërruar një pjesë të madhe të marinës konvencionale iraniane. Megjithatë, komponenti detar i Gardës Revolucionare, i ndërtuar për luftë asimetrike dhe i pajisur me mjete më të vogla, mbetet pjesërisht funksional.
Ky është edhe elementi që, sipas burimeve, vijon të ndikojë në sigurinë e lundrimit të naftës në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Pentagoni mbron vlerësimin e tij për suksesin e operacionit. Zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se më shumë se 13 mijë objektiva iraniane janë goditur gjatë fushatës.
“Në më pak se 40 ditë, ushtria amerikane i dha një goditje të rëndë dhe dobësuese regjimit iranian”, tha ai, duke shtuar se 92% e anijeve më të mëdha të marinës iraniane janë shkatërruar.
Sipas tij, kjo përbën “neutralizimin më të madh të një force detare brenda tre javësh që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Vlerësimet e ndryshme tregojnë një hendek të qartë mes deklaratave politike dhe analizave të inteligjencës mbi gjendjen reale të kapaciteteve ushtarake të Iranit.

