MaqedoniTop Lajme

Në Universitetin e Tetovës u përurua pajisja laboratorike për analiza të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit

Shpërndaje

Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit (UT), u bë përurimi i pajisjes laboratorike për analiza të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, një investim i rëndësishëm që ka për qëllim forcimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe përmirësimin e standardeve në këtë sektor. Kjo pajisje laboratorike është donacion nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë drejtues të institucionit dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, ndër të cilët rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, koordinatori i projektit të këtij donacioni, Prof. Dr. Ismail Ferati, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Cvetan Tripunovski, si dhe Zëvendësministri z. Albrim Hoxha.

Hartimin dhe aplikimin e projektit, specifikimin e pajisjeve, si dhe implementimin dhe raportimin e të gjitha fazave pranë ministrisë e ka realizuar koordinatori i projektit, Prof. Dr. Ismail Ferati. Me këtë rast, në prezantimin e rolit të pajisjes, ai u shpreh se laboratori disponon teknologjinë më të avancuar gjermane për analizat e sigurisë ushqimore, veçanërisht për detektimin e metaleve të rënda. Pajisja e instaluar është e tipit ICP-MS (Inductively Coupled Plasma Mass Spectrometry), e cila mundëson analiza me saktësi dhe ndjeshmëri shumë të lartë, duke përmbushur standardet ndërkombëtare të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli e falënderoi Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për këtë donacion duke theksuar se ky investim është mjaft i rëndësishëm për studentët tanë, sikurse ata në studimet themelore, të magjistraturës, të doktoraturës, për arsye se do t’u jepet mundësia që hulumtimet e tyre shkencore, pjesën praktike ta zhvillojnë në këtë laborator. Më tej ai shtoi se përdorimi i kësaj pajisjeje, do të shërbejë si një urë lidhëse me kompanitë e kësaj sfere dhe mbi të gjitha së bashku me dekanin, stafin akademik, do ta kemi mundësinë që të japim kontributin tonë në kontrollin e cilësisë së ushqimit.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Cvetan Tripunovski tha se ky investim është edhe një tregues tjetër se ata, si ministri, jenë seriozë në ndërtimin e një partneriteti me institucionet shkencore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të përbashkëta. “Kjo pajisje, e cila do të përdoret për analizimin dhe garantimin e sigurisë së pesticideve në ushqime dhe produkte të tjera, dëshmon përkushtimin tonë që shëndeti i qytetarëve dhe konsumatorëve të jetë në nivelin më të lartë të mbrojtjes. Mbështetja e tillë nuk nënkupton vetëm një qasje më të përgjegjshme ndaj kompanive që kanë nevojë për analiza të tilla, por gjithashtu krijon mundësi të reja edhe për vetë universitetin. Studentët do të kenë mundësi ta përdorin këtë pajisje në kuadër të veprimtarisë shkencore-kërkimore, duke kontribuuar në ngritjen e kapaciteteve dhe në formimin e kuadrove profesionale, të afta për të punuar në të ardhmen në fushën e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Ne mbetemi të përkushtuar, si ministri, për të vazhduar këtë dialog dhe bashkëpunim të përbashkët me universitetet e vendit, në mënyrë që së bashku të ndërtojmë kapacitete të qëndrueshme dhe profesionale, të cilat do të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e ushqimit që arrin tek konsumatorët, ashtu siç ata e meritojnë.” – u shpreh Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Cvetan Tripunovski.

Dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Gafur Xhabiri dhe Zëvendësministri z.Albrim Hoxha e vlerësuan këtë donacion si tejet të rëndësishëm, duke theksuar se ai do t’u shërbejë drejtpërdrejt studentëve dhe stafit akademik në zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe kërkimore. Sipas tyre, pajisja do të ndikojë në rritjen e cilësisë së punës laboratorike, do të mundësojë realizimin e analizave më të avancuara dhe do të forcojë kompetencat praktike të studentëve, duke i përgatitur ata më mirë për tregun e punës dhe sfidat profesionale në fushën e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit.

Përurimi i kësaj pajisjeje konsiderohet një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe industrisë ushqimore në vend, si dhe një hap përpara në integrimin e praktikave bashkëkohore shkencore në procesin arsimor dhe kërkimor.