Tjetër sulm i përgjakshëm në një shkollë në Turqi, 9 të vrarë nga një nxënës 14-vjeçar (Video)
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turqi, ku një nxënës 14-vjeçar ka qëlluar për vdekje nëntë persona në një shkollë të mesme në provincën Kahramanmaraş, duke shënuar sulmin e dytë të armatosur në shkolla brenda dy ditësh.
Sipas autoriteteve, tetë nxënës dhe një mësues humbën jetën nga të shtënat, ndërsa 13 persona të tjerë mbetën të plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje kritike, përcjell Reuters.
Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, deklaroi se sulmi nuk lidhet me terrorizmin, por ishte një akt individual.
“Ky ishte një sulm personal i kryer nga një prej nxënësve tanë, nuk është një incident terrorist,” u shpreh ai.
Sipas guvernatorit të Kahramanmaraşit, Mükerrem Ünlüer, autori i dyshuar ishte një nxënës i klasës së tetë, i cili hyri në shkollë i armatosur me pesë armë dhe shtatë karikatorë, që dyshohet se i përkisnin babait të tij, një ish-polic.
Ai hapi zjarr në mënyrë të pakontrolluar në dy klasa me nxënës të klasës së pestë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Më pas, sipas autoriteteve, 14-vjeçari i dha fund jetës gjatë kaosit.
Pamje të pakonfirmuara tregojnë nxënës që hidhen nga dritaret e katit të dytë për t’i shpëtuar plumbave, ndërsa në vendngjarje mbërritën ambulanca dhe forca të shumta policie.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi një tjetër sulm me armë zjarri ndodhi në Şanlıurfa, ku një ish-nxënës plagosi të paktën 16 persona përpara se të vriste veten.
Sulmet e tilla janë të rralla në Turqi, megjithëse armët janë të përhapura, veçanërisht mes personave që kanë pasur lidhje me forcat e sigurisë.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa shtesë sigurie pas këtyre ngjarjeve të rënda.

