VLEN: Ligji për arsimin e lartë reflekton kërkesat e universiteteve shqiptare
Për VLEN-in, reforma në arsimin e lartë nuk bëhet me arrogancë politike e as me vendime të imponuara. Ajo bëhet duke dëgjuar studentët, profesorët dhe institucionet që çdo ditë përballen me sfidat e arsimit të lartë.
Pikërisht për këtë, VLEN zgjodhi rrugën e konsultimit. Dëgjuam komunitetin akademik dhe universitetet shqiptare. Andaj sot mund të themi se pjesa më e madhe e sugjerimeve të tyre janë reflektuar në tekstin përfundimtar të ligjit.
Kjo ka peshë, meqë nxjerr në pah dallimin mes atyre që për vite me radhë imponuan gjoja zgjidhje nga lart, pa dëgjuar askënd, dhe VLEN-it që dëgjon, korrigjon dhe merr përgjegjësi, ashtu siç i ka hije një shoqërie demokratike.
Një nga arritjet kryesore është heqja e H-indeksit si kriter bazë për vlerësimin e kuadrit akademik. Po ashtu, garantojmë se asnjë i punësuar nuk do ta humbasë vendin e punës. Përkundrazi, ligji hap më shumë hapësirë për zhvillim profesional dhe avancim akademik.
Pas ndryshimeve të vitit 2018, të cilat u dëshmuan si jofunksionale, tani po bëhen korrigjimet e nevojshme që arsimi i lartë të jetë cilësor dhe më afër nevojave të studentëve dhe tregut të punës.
Për VLEN-in, studenti është në qendër, universiteti është bazë e zhvillimit, ndërsa arsimi shqip mbetet prioritet kombëtar.

