RajoniTop Lajme

Delegacion i Kongresit amerikan viziton Luginën e Preshevës, Bajraktari: Mesazh i fuqishëm për shqiptarët

Shpërndaje

Një delegacion zyrtar i Kongresit të SHBA-së, i udhëhequr nga Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka vizituar Luginën e Preshevës.

Lidhur me këtë vizitë ka reaguar veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, i cili e cilësoi atë si historike dhe një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas Bajraktarit, vizita dëshmon se shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk janë harruar dhe se zëri i tyre vazhdon të dëgjohet në Washington.

“Kjo vizitë ka rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe të ardhmes demokratike në rajon, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan”, ka shkruar ai.

Bajraktari theksoi se kongresmeni Keith Self po ndjek rrugën e mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel, i cili kishte vizituar Luginën e Preshevës dhe Kosovën në vitin 2019.

Ai kujtoi se gjatë asaj vizite, Engel kishte marrë pjesë edhe në inaugurimin e objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe kishte vizituar qytetin Bajram Curri në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Bajraktari falënderoi Kongresin amerikan për mbështetjen ndaj shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Falënderoj komunitetin shqiptaro-amerikan në Texas për punën e madhe që po bëjnë për çështjen kombëtare. Ata janë shembull se si duhet të veprojë diaspora shqiptare”, ka deklaruar ai.