MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Sipas FMN-së, për vetëm dy vite kemi realizuar vlerë të shtuar më të madhe se ajo e LSDM-së dhe BDI-së për 6 vite, ndërsa borxhi është pothuajse 2 herë e gjysmë më i ulët

Shpërndaje

Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, duke folur për huamarrjen, theksoi se në qershor nuk do të ketë huamarrje të re, siç pretendon opozita, ndërsa duke bërë krahasim ndërmjet gjashtë viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së dhe këtyre dy viteve të qeverisë së VMRO-së, theksoi se sipas FMN-së kjo qeveri për dy vite ka realizuar vlerë të shtuar më të madhe sesa qeveria e LSDM-së dhe BDI-së për 6 vite, ndërsa huamarrja është pothuajse 2 herë e gjysmë më e ulët.

“Tani çfarë kanë bërë ata dhe çfarë ka bërë kjo qeveri. Periudha e analizuar 2017-2026, deri në fund të vitit 2026. Këto janë shifra dhe parametra të përcaktuara nga Ministria e Financave dhe FMN-ja, jo nga Hristijan Mickoski, jo nga VMRO-DPMNE, jo nga Qeveria, por nga FMN-ja. Do të pajtohemi se ky është një institucion kredibil. Dëgjuam nga një deputet se Komisioni i Venecias nuk qenka institucion kredibil dhe nuk vlen asgjë, por do të pajtohemi se FMN-ja është institucion kredibil. Çfarë thotë FMN-ja? Do ta përjashtojmë vitin 2017 sepse ishte vit i ndarë dhe do ta përjashtojmë edhe vitin 2024 sepse po ashtu ishte vit i ndarë. Periudha e qeverisë së kaluar LSDM-BDI, nga 1 janari 2018, borxhi publik ishte 4 miliardë e 787 milionë euro, ndërsa periudha e analizës përfundon më 31.12.2023 me borxh publik prej 8 miliardë e 477 milionë euro. Huamarrje neto prej 3,69 miliardë euro. Qeveria e VMRO-DPMNE – VLEN dhe ZNAM, më 1 janar të vitit 2025, borxhi publik 9 miliardë e 619 milionë euro dhe siç tha kolegu juaj deputet, supozojmë siç thotë ai, se do të arrijmë në 11 miliardë, por nuk do të arrijmë. Ai thotë se do të arrijmë, por unë po them se nuk do të arrijmë, por le të jetë siç thotë ai, 11 miliardë, huamarrje neto 1 miliardë e 381 milionë euro. Në ekonomi vlerësohet dhe çmohet vlera e shtuar që krijoni me huamarrjen, sipas FMN-së, jo sipas Hristijanit, jo sipas Qeverisë. Vlera e shtuar reflekton BPV-në nominale në ekonomi. BPV-ja nominale më 1 janar 2018 ishte 11 miliardë e 340 milionë dollarë. Më 31 dhjetor 2023 BPV-ja nominale ishte 15 miliardë e 860 milionë dollarë, ose gjithsej kanë arritur për periudhën prej 6 vitesh të shtojnë vlerë në BPV-në nominale prej 4,52 miliardë dollarësh, ndërsa shtetin e kanë ngarkuar me borxh prej 3,69 miliardë euro për të njëjtën periudhë prej 6 vitesh. Kjo Qeveri, e tillë apo e atillë, siç thonë ata se nuk bën, më 1 janar të vitit 2025 ka BPV-në nominale prej 16 miliardë e 950 milionë euro, sipas FMN-së e përsëris, ndërsa më 31 dhjetor, sipas projeksioneve të FMN-së dhe buxhetit kur është krijuar, 21 miliardë e 610 milionë euro, respektivisht vlerë e shtuar prej 4 miliardë e 660 milionë euro. Diferenca ndërmjet 6 viteve të tyre dhe këtyre dy viteve është 140 milionë në favor të kësaj qeverie, ndërsa njëkohësisht është huazuar për 1 miliardë e 381 milionë euro. Ta thjeshtëzoj. Vlera e shtuar për periudhën prej dy vitesh është më e madhe se ajo për 6 vite, ndërsa borxhi është pothuajse 2 herë e gjysmë më i ulët. Këto janë shifra”, potencoi Mickoski dhe shtoi:

“Unë ndoshta nuk di për ekonomi, por di për shifra. Dhe këtë nuk e thotë Hristijan Mickoski, nuk e thotë VMRO-DPMNE apo Qeveria, këtë e thotë FMN-ja. Do të pajtoheni se sipas FMN-së, të paktën 2 e gjysmë deri në 3 herë kjo qeveri është më e suksesshme se ajo e mëparshmja dhe ne duhet të krahasohemi me atë qeveri, nuk mund të krahasohemi me ndonjë qeveri të imagjinuar”.