BotaTop Lajme

Trump kritikon Italinë: Nuk ishte aty kur kishim nevojë, po e mendoj seriozisht largimin e trupave

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj Italisë dhe rolit të saj në aleancën perëndimore, duke deklaruar se Roma “nuk ishte aty kur kishim nevojë për të”.

Në një bisedë telefonike ekskluzive me “Corriere della Sera”, Trump shmangu komentet mbi lëvizjet e trupave amerikane nga Gjermania drejt krahut lindor të NATO-s, por konfirmoi se po shqyrton ende mundësinë e tërheqjes ose zhvendosjes së forcave amerikane nga bazat në Itali.

“Po e marrim ende në konsideratë”, tha ai, duke iu referuar pranisë ushtarake amerikane në territorin italian.

Deklaratat vijnë në një moment delikat për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë, ndërsa administrata Trump po rishikon angazhimin ushtarak amerikan në Europë dhe Lindjen e Mesme.

I pyetur pse kishte shpërndarë ditët e fundit në platformën e tij “Truth Social” një artikull të vjetër të Matteo Salvinit, Trump u përgjigj shkurt: “Sepse m’u duk i përshtatshëm”.

Por pjesa më e fortë e intervistës lidhej me Italinë dhe kryeministren Giorgia Meloni. Vetëm një ditë pas vizitës në Romë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Trump përsëriti pakënaqësinë e tij ndaj qeverisë italiane.

“Italia nuk ishte aty kur kishim nevojë për të. Unë kam qenë gjithmonë për Italinë, ashtu si edhe vendi im”, deklaroi presidenti amerikan.

Kur gazetarët i kujtuan se Italia mund të kontribuojë me anije për pastrimin e minave detare pas armëpushimit me Iranin, Trump ndërpreu pyetjen për të përsëritur të njëjtin mesazh kritik: “Italia nuk ishte aty kur kishim nevojë”.

Deklaratat e tij interpretohen si një sinjal presioni ndaj aleatëve europianë për të marrë një rol më aktiv në krizat ndërkombëtare dhe në operacionet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja.

Trump shmangu gjithashtu komentet mbi letrën e përgjigjes që Irani pritej t’i dërgonte Uashingtonit gjatë natës, duke thënë se nuk dëshiron të flasë “për momentin” mbi zhvillimet diplomatike me Teheranin.

Intervista vjen në një kohë kur administrata amerikane po përpiqet të menaxhojë tensionet me Iranin, ndërsa paralelisht po rrit presionin ndaj partnerëve të NATO-s për kontribute më të mëdha ushtarake dhe strategjike.