Kronikë e zezëMaqedoniTop Lajme

Në Shkup arrestohen 14 shoferë, shtatë prej tyre qarkullonin pa patentë

Shpërndaje

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 14 drejtues mjetesh në mbarë territorin e vendit për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

Sipas njoftimit, shtatë prej tyre kanë drejtuar automjetin pa patentë shoferi, edhe atë dy në Shkup, dy në Rosoman, dy në Kumanovë dhe një në rajonin e Kavadarit.

Po ashtu, pesë shoferë janë ndaluar për shkak se kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht në Kavadar, Sveti Nikollë, Negotinë, Gjevgjeli dhe në autostradën Veles–Gradsko.

Ndërkohë, dy drejtues të tjerë janë privuar nga liria pasi kanë lëvizur në drejtim të kundërt në aksin rrugor Gostivar–Tetovë.

MPB theksoi se pas dokumentimit të plotë të të gjitha rasteve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.

Nga ministria u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit rrugor, të mos drejtojnë automjete pa e kaluar provimin për patentë shoferi, në rast se u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit, apo kur janë nën ndikimin e alkoolit.