Publikohet audio-incizimi i bisedës mes Dodikut dhe Izetbegoviqit, përplasje me akuza dhe fyerje
Pas disa ditësh përplasjesh publike, është publikuar një incizim audio i një bisede telefonike mes liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, dhe kryetarit të SDA-së, Bakir Izetbegoviq. Biseda është e mbushur me fjalë të rënda, akuza dhe provokime, duke ardhur pas një serie deklaratash të ashpra mes dy politikanëve.
Në incizimin e publikuar nga “Srpski glasnik”, dëgjohet se Dodik e nis bisedën me një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me “kërcënimet me forcë” dhe pretendimet se ka informacione që “muxhahedinët duan ta eliminojnë”, duke e pyetur Izetbegoviqin nëse ai qëndron pas këtyre pretendimeve.
Izetbegoviq i hedh poshtë këto akuza duke i quajtur “budallallëqe”, duke sqaruar se kur ka folur për “forcë”, ai i është referuar vetëm drejtësisë, e cila sipas tij duhet të ndalojë politikën destruktive të Dodikut gjatë dy dekadave të fundit.
Gjatë bisedës shkëmbehen akuza për “blerjen e deputetëve”, afrimin me qendrat e huaja të fuqisë, gjendjen në entitete dhe interpretimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
Në një moment, Izetbegoviq e quan Dodikun “dëmtues” që udhëheq një “politikë hajdutësh” dhe që, sipas tij, po i shkakton dëm popullit të vet. Dodik i përgjigjet duke e quajtur Izetbegoviqin “idiot të dobishëm” për serbët dhe duke thënë se askush nuk do ta prekë atë.

