Konjufca: Tre hapa për ta shpëtuar Telekomin! (Video)

Shpërndaje

Hapi i parë është që Qeveria e Kosovës ta zbatoj rezolutën e cila është në fuqi. Ajo rezolutë është miratuar nga shumica e deputetëve të këtij kuvendi në korrik të vitit të kaluar. Hapi i dytë është mosnjohja e kurrfarë borxhit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj ‘Z-Mobile’. Kosova nuk i ka kurrfarë borxhi ‘Dardafonit’, por kjo e fundit i ka shumë borxhe Kosovës në mënyrat se si janë fituar milionat e gatshëm. Dhe hapi i tretë duhet të jetë mosvazhdimi i kontratës me ‘Z-Mobile’.

Qeveria është aksionar i plotë i Telekomit. Liçenca e Telekomit skadon pas dy muajsh, pra në korrik, pastaj përtërihet. Kështu që Qeveria tani i ka në dorë krejtësisht të drejtat ligjore për mos ta vazhduar kontratën me ‘Z-Mobile’.

Nëse ministri Lluka është i kapur nga ‘Z-Mobile’ ju kryeministër e keni rastin të tregoni që nuk jeni shitur tek ta. Merreni situatën nën kontrollë, mos e vazhdoni kontratën e dëmshme që ia humbë Kosovës qindra-miliona euro.

Pas diskutimeve dhe në bashkëpunim me grupet parlamentare, dhe pas harmonizimit të disa pikave që do t’i bisedojmë këtu, ne do t’ia paraqesim kuvendit një rezolutë në të cilën përfshihen domosdoshmërisht ato tri pika jetike të cilat i shpjegova.

Fjala e Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Glauk Konjfucës, në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin.