Fjala e Albin Kurtit në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin (Video)

Shpërndaje

Ne e kemi zgjidhjen e qartë: Fondi Sovran ia merr AKP-së ndërmarrjet shoqërore dhe e mbyllë AKP-në, i ristrukturon këto ndërmarrje, e ndalon privatizimin dhe eventualisht shet aksione. Dhe pse mos ta bëjmë mërgatën tonë pronar dhe motor të zhvillimit tonë ekonomik dhe jo vetëm faktor të mbijetesës sociale?! Fondi Sovran është zgjidhja afatgjate.

Nëse dikush dëshiron zgjidhje urgjente, e kemi edhe atë. Ky Kuvend ka miratuar një rezolute 12-pikëshe, përmes së cilës ka treguar se cila është zgjidhja urgjente.

Prapa “Z-Mobile’ qëndron ish-kryeministri tash president dhe ish shefi i shefave nga klani pronto i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharë fyti. ‘Z-Mobile’ pra është kali i trojës, të cilin xharpri ia imponoj Postës dhe Telekomit të Kosovës. Prandaj, sot nuk ka kuptim të flasësh për askë përveç se për prokurorinë dhe policinë. Qytetarët e dinë, ne deputetët e dimë, edhe pushtetarët e dinë. Prokuroria dhe policia duhet të veprojnë.

Ka shumë metoda për ta zgjidhur lëmshin e korrupsionit në sektorin e telekomunikimit, mirëpo tri prej tyre janë më të thjeshtat:

E para, është dështimi për të arkëtuar garancionin bankar prej 16.2 milionë eurosh, që është 20% e ofertës financiare të të ranguarit të parë asokohe, në tenderin e dytë të telefonisë mobile ‘Kosmocell’.

Një tjetër rrugë për ta kuptuar krimin në telekomunikacion është hetimi i kontratës me ‘Z-Mobile’ që është edhe tema e seancës së sotme. Kontratë kjo që ishte goditja më mizore kundër Telekomit të Kosovës. Përkundër faktit që kjo kotnratë ishte konsideruar si e dëmshme për PTK-në, qeveria insistonte që ajo të nënshkruhet dhe madje nënshkrimin e saj e vendosi si kusht për këdo që do të vijë drejtor në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Një mënyrë e tretë për ta kuptuar krimin në këtë sektor është thjeshtë shikimi i pasqyrave financiare dhe krahasimi i tyre me kompanitë private, në të cilat politika ishte e lidhur me interesat e saj partikulare. Ndërkohë që operatorët privat po rriteshin që nga viti 2010 Telekomi po binte me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Nga fjala e Kryetarit Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin.