Të premten, studentët e Kosovës protestë para Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë
Studentët e Kosovës kanë paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe për mbrojtjen e së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të mbahet më 5 qershor, duke filluar nga ora 14:00, ndërsa synimi i saj është të ngrejë zërin kundër asaj që ata e cilësojnë si cenim të të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provime të tjera shtetërore.
Në thirrjen publike, studentët theksojnë se gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe se respektimi i saj duhet të garantohet në të gjitha institucionet dhe procedurat shtetërore. Ata shprehen se protesta do të jetë paqësore dhe synon të dërgojë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve, organizatave studentore, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave gjuhësore dhe arsimore të shqiptarëve.
Kjo protestë vjen pas dy protestave në Shkup, pastaj në Tiranë dhe në kohën kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta nga studentët, organizatat civile dhe faktorë të ndryshëm politikë në rajon.


