MaqedoniTop Lajme

UNT promovoi gjeneratën e VIII-të të absolventëve në ceremoninë madhështore “Absolventiada 2026”

Shpërndaje

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në një atmosferë festive dhe plot emocione, organizoi ceremoninë e diplomimit për gjeneratën e tetë të studentëve të tij. Ngjarja mblodhi krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, udhëheqës fetarë, akademikë, profesorë dhe qindra familjarë që nderuan suksesin e të rinjve që sot zyrtarisht u rreshtuan në radhët e qytetarëve me përgatitje të lartë akademike.
Ceremonia u hap zyrtarisht nga kryetarja e Senatit të UNT-së, Prof. Dr. Olivera Petrovska, e cila si përfaqësuese e organit më të lartë akademik përshëndeti të pranishmit e lartë. Ajo theksoi se Absolventiada është kurora e punës dhe përkushtimit shumëvjeçar të studentëve:
“Sot nuk shënojmë vetëm përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm akademik, por edhe fillimin e një kapitulli të ri të mbushur me mundësi dhe sfida. Universiteti ‘Nënë Tereza’ krenohet me sukseset tuaja. Besojmë se arsimi i fituar këtu, së bashku me vlerat që keni zhvilluar, do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni me sukses sfidave të shoqërisë bashkëkohore”, porositi Petrovska, duke shprehur mirënjohje edhe për prindërit dhe stafin akademik për mbështetjen e pakursyer.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, uroi përzemërsisht absolventët, duke vënë theksin tek përgatitja e tyre për një treg pune që po ndryshon me shpejtësi marramendëse nën ndikimin e inteligjencës artificiale dhe sfidave gjeopolitike.

“Keni njohuritë, keni shkathtësitë, por mbi të gjitha keni mënyrën e duhur të të menduarit. Ky është ndryshimi ndërmjet atij që di shumë gjëra dhe atij që di se si të mësojë gjëra të reja”, u shpreh Rektori Fetaji. Duke cituar thënien e famshme e Nënë Terezës, ai u la porosi studentëve: “Mos u fokusoni shumë për të bërë gjëra të mëdha, por i bëni gjërat e vogla me dashuri të madhe. Dyert e këtij universiteti mbeten gjithmonë të hapura për ju. Një herë familje e UNT-së – familje përgjithmonë.”

Në këtë ngjarje të madhe, studentëve me fjalë rasti iu drejtua kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, i cili vlerësoi lart rolin e UNT-së në konsolidimin e elitës së re intelektuale dhe inkurajoi të diplomuarit që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, duke u bërë shtyllat e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të vendit, duke theksuar se “vendi ynë ka nevojë për energjinë, dijen dhe vizionin e brezit të ri. Diploma është një arritje e rëndësishme, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar me njohuritë dhe aftësitë e fituara në zhvillimin e shoqërisë sonë.” – potencoi kryetari i Kuvendit z. Afrim Gashi.

Po ashtu, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Dr. Bekim Sali, në fjalimin e tij përcolli mesazhin se “arsimi mbetet investimi më i sigurt për të ardhmen e çdo shoqërie, ndërsa të rinjtë, me dijen, energjinë dhe kreativitetin e tyre, janë forca që e çon vendin përpara. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, mësimi dhe zhvillimi profesional duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës.”

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, shprehu kënaqësinë e saj për praninë në këtë promovim dhe theksoi se shteti ka nevojë urgjente për kuadro të rinj shkencorë-hulumtues. Ajo bëri të ditur se Ministria po punon për masa sistemore për avancimin ndërkombëtar të shkencëtarëve të rinj. Janevska falënderoi profesorët e UNT-së për bashkëpunimin e ngushtë në përgatitjen e legjislacionit të ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë para deputetëve për të krijuar një sistem më konkurrues.

Një fjalim tejet frymëzues dhe me nota të larta emocionale mbajti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Denion Mejdani. Ai solli në vëmendje historinë e Gonxhe Bojaxhiut, vajzës së vogël nga Shkupi që pa pasur pushtet apo famë, ndryshoi botën sepse nuk u dorëzua kurrë para së pamundurës.

“Mos lejoni që realiteti i sotëm të vendosë kufijtë e së ardhmes suaj. Kur të gjeni mure në rrugën tuaj, mos i pranoni si kufij, kaloni përtej tyre. Merrni me vete dinjitetin, mirësinë dhe besimin se e nesërmja mund dhe duhet të jetë më e mirë. Njerëzit nuk mbahen mend për atë që fituan, por për atë që ndryshuan”, theksoi Ambasadori Mejdani.

Në pjesën qendrore të ceremonisë, në emër të stafit akademik dhe administrativ, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ndau mirënjohje për pesë ish-studentët e dalluar (Alumni), të cilët sot përfaqësojnë suksesshëm universitetin në tregun e punës, edhe atë mirënjohje morën, Marika Cvetkovska nga Fakulteti i Shkencave Teknike, sot Inxhiniere e Trafikut Rrugor dhe Projektuese, Ramadan Zejneli nga Fakulteti i Shkencave Sociale sot në pozicionin Udhëheqës Sektori, Hamdi Xhunior Ajeti nga Fakulteti i Shkencave Informatike, sot Inxhinier i Lartë i Softuerëve, Shermin Memed nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike sot Specialist i Mbështetjes së Klientëve si dhe Art Rexhepi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës sot Arkitekt i angazhuar suksesshëm në sektorin privat.

Gjatë gjithë këtij solemniteti, rrjedha e programit dhe moderimi i suksesshëm i pikave protokollare u realizua në mënyrë të shkëlqyer nga profesoresha e universitetit tonë, Arta Xhelili, e cila ftoi në skenë edhe studentët më të dalluar.

Momenti më i duartrokitur i mbrëmjes ishte ngjitja në skenë e pesë studentëve më të dalluar të kësaj gjenerate, të cilët pranuan mirënjohjet e veçanta nga Rektori Fetaji për rezultatet elitare gjatë studimeve, Xheneta Islami studenteja më e mirë e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, me notë mesatare 8.60, ndërsa Kanita Reçica studenteja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Informatike, me notë mesatare 9.50, Besjana Islami studenteja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Teknologjike, me notë mesatare 9.73, Almedina Topalovska studenteja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Teknike, me notë mesatare 9.80 si dhe Adrela Zenku studenteja më e mirë e Fakultetit të Shkencave Sociale, me notë mesatare maksimale 10.00.

Ceremonia u mbyll me hedhjen tradicionale të kapelave nga ana e absolventëve, duke shënuar kështu nisjen e tyre drejt sukseseve të reja profesionale dhe jetësore.