MaqedoniTop Lajme

VLEN shënon dy vjet qeverisje! Mexhiti dhe Kasami: Ndryshimi nuk është më slogan, por realitet

Shpërndaje

Me moton “Transparencë dhe llogaridhënie”, VLEN shënoi dyvjetorin e hyrjes në pushtet, duke prezantuar bilancin e punës dhe projektet që, sipas drejtuesve të koalicionit, janë realizuar gjatë kësaj periudhe. Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, tha se pas 24 muajsh qeverisje. Mexhiti përmendi si rezultate miratimin e Ligjit për Medresenë “Isa Beu”, avancimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, masat kundër lojërave ilegale të fatit, si dhe mundësinë që provimi i jurisprudencës dhe provime të tjera profesionale të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.

“Edhe bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se në dy vite janë realizuar projekte që, sipas tij, kanë mbetur pa u realizuar për 24 vjet. Kasami theksoi se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është shndërruar në ligj, ndërsa përmendi edhe projektet infrastrukturore si rruga Shkup–Bllacë dhe Korridori 8, që sipas tij do të forcojnë lidhjen me Kosovën dhe Shqipërinë”, tha Mexhiti.

“Ai u bëri thirrje funksionarëve të VLEN-it të mbeten pranë qytetarëve, duke thënë se mandatet kalojnë, por mbetet ajo që është bërë për njerëzit”, tha Kasami.

Postimi nga KASAMI:

24 muaj punë!
Dy vjet më parë, kur morëm përgjegjësinë për të qeverisur, e dinim mirë çfarë po trashëgonim. Nuk ishte një rotacion normal politik. Erdhëm për ta ndalur epokën e premtimeve boshe, epokën e zhgënjimit të mbuluar me mashtrim dhe epokën e lakmisë që i la shqiptarët prapa në zhvillim.
Me 24 muaj punë dhe përkushtim, treguam se mund të qeveriset ndryshe, mund t’i japim fund përçarjeve e të bashkohemi, mund të lëvizim punë që nuk ishin prekur për një çerek shekulli.
Këtë provim, të gjithë bashkë, e dhamë me sukses.
Tani fillon pjesa më e rëndë. T’i përmbahemi këtij standardi që vetë e kemi vendosur.

Postimi nga MEXHITI:

VLEN, 2 vjet qeverisje.
Vetëm 24 muaj. Aq na u desh për të dëshmuar se shteti mund të qeveriset ndryshe.
Për 24 vjet u ndërtuan privilegje. Për 24 muaj ne ndërtuam institucione.
Për 24 vjet shqiptarëve u premtuan të drejta. Për 24 muaj ato nisën të bëhen realitet.
Për herë të parë, shqiptarët morën hisen që u takon, me afro 3 miliardë euro investime në komunat shqiptare.
Për herë të parë, nuk pati tensione ndëretnike të fabrikuara. Nuk pati skenarë për të mbajtur gjallë politikën e frikës. Nuk pati përçarje si metodë qeverisjeje.
Për herë të parë, institucionet nuk u tronditën nga afera korrupsioni. Nuk pati pazare në kurriz të shtetit. Nuk pati projekte të errëta që u shërbejnë interesave private. U mbrojt interesi publik.
Ne nuk zgjodhëm rrugën e propagandës. Zgjodhëm rrugën e punës.
Prandaj sot nuk flasim për premtime. Flasim për vendime. Flasim për vepra.
Miratuam Ligjin për Medresenë. Çuam në Kuvend Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Përgatitëm Ligjin për Lojërat e Fatit. Shpejt miratohet edhe Pakoja e Ligjeve për Arsimin e Lartë.
Për herë të parë, studentët e jurisprudencës do ta japin provimin profesional në gjuhën shqipe. Mbi 40 provime profesionale dhe licenca do të zhvillohen gjithashtu në shqip.
Sepse barazia nuk është dekor për fjalime. Barazia ndërtohet me ligje. Me institucione. Me vendime. Pikërisht këtë kemi bërë.
Filluam ndërtimin e Kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”. Siguruam vazhdimin e ndërtimit të fazës së tretë të Sheshit “Skënderbeu”. Po rindërtojmë Spitalin e Tetovës.
Mbi 2.500 punësime dhe avancime. Mbi 4.500 qytetarë të punësuar përmes masave të vetëpunësimit, prej tyre 1.663 shqiptarë. Rritëm pagat për mësuesit, mjekët, policët dhe administratën. Rritëm edhe pensionet.
Ajo që për 24 vjet mbeti vetëm në letër, në 24 muaj u kthye në kantier. Autostrada Shkup–Bllacë më në fund po ndërtohet. Punimet në Korridorin 8 po avancojnë. Me sistemin One Stop Shop në Bllacë, Tabanoc dhe Jazhincë lehtësuam lëvizjen dhe jetën e përditshme të qytetarëve. E zgjeruam këtë model edhe me marrëveshjet për One Stop Shop në Qafë Thanë dhe Bllatë. Sepse zhvillimi matet edhe me rrugët që ndërtohen, edhe me kufijtë që hapen.
Kjo është diferenca.
Ata ndërtuan një sistem që u shërbente grupeve të interesit. Ne po ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarit.
Ata e mbajtën pushtetin me premtime. Ne e justifikojmë besimin me rezultate.
Ata bënë politikë që ushqehej me kriza. Ne bëmë politikë që ndërton stabilitet.
Ata patën 24 vjet për t’i arsyetuar dështimet e tyre. Ne patëm vetëm 24 muaj për t’i demantuar ato.
Sepse 24 muaj punë vlejnë më shumë se 24 vjet premtime.