MaqedoniTop Lajme

Për herë të parë vendoset flamuri shtetëror në zyrën e Ali Ahmetit

Shpërndaje

Pas 24 vitesh nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, në zyrën e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, në Reçicë të Vogël, është vendosur për herë të parë flamuri shtetëror i Maqedonisë së Veriut. Flamuri u pa gjatë një takimi me ambasadorin e Austrisë, Martin Pammer.

Në një prononcim për TS, Ahmeti sqaroi arsyet e këtij vendimi, duke theksuar se gjithmonë ka qenë në mbështetje të shtetit unitar dhe se vendosja e flamurit shtetëror nuk ka qenë asnjëherë problem për të.

“Kam qenë gjithmon për shtet unitar, ka qenë edhe sugjerim i ambasadorëve të huaj në vend, sepse në takimet me ta më është sugjeruar që të vendoset flamuri i shtetit të Maqedonisë së Veriut në zyrën time”, deklaroi Ahmeti për portalin TS.

Sipas tij, ky veprim është në përputhje me bindjen se shteti u përket të gjithë qytetarëve dhe se simbolet shtetërore duhet të respektohen.

Vendosja e flamurit shtetëror në zyrën e Ahmetit vjen si një veprim simbolik, i cili synon të përcjellë mesazhin e bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe barazisë mes të gjitha komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti mirëpret Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Tij, z. Martin Pammer

Sot pata kënaqësinë të pres në takim Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Tij, z. Martin Pammer.
Zhvilluam një bisedë të hapur dhe të frytshme mbi zhvillimet politike në vend, perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe sfidat që kërkojnë përgjegjësi të përbashkët institucionale. Në këtë takim ritheksova se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian mbetet orientimi ynë strategjik dhe nuk ka alternativë tjetër.
Nënvizova se përparimi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian kalon domosdoshmërisht përmes respektimit të Marrëveshjes së Ohrit, forcimit të sundimit të së drejtës, funksionimit të institucioneve mbi parimet e barazisë dhe demokracisë, si dhe përmbushjes së të gjitha obligimeve që burojnë nga procesi eurointegrues.
Po ashtu, vlerësova se ndërtimi dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike, politika e fqinjësisë së mirë dhe krijimi i një ekonomie që garanton mirëqenie për qytetarët janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e shtetit tonë. Vetëm duke ruajtur këto vlera, Maqedonia e Veriut mund të ecë përpara me siguri, stabilitet dhe dinjitet