MaqedoniTop Lajme

BDI: Shtrenjtohet transporti ndërurban, goditen drejtpërdrejt studentët dhe qytetarët

Shpërndaje

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj rritjes së çmimeve të transportit ndërurban, e cila rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët, veçanërisht mbi studentët dhe punonjësit që çdo ditë udhëtojnë nga një qytet në tjetrin.

Nga Tetova drejt Shkupit, bileta që deri më tani kushtonte 200 denarë është rritur në 250 denarë, që paraqet një rritje prej 25% për një udhëtim. Për një student apo punonjës që udhëton çdo ditë, kjo nënkupton një barrë të konsiderueshme shtesë mujore.

Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të paraqitura, shpenzimet mujore për transport janë rritur nga rreth 5.500 në 6.500 denarë, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi buxhetet familjare.

Kjo është politika e “kujdesit për qytetarin” që po e ofron pushteti?

Në vend që të krijohen politika për transport publik më të përballueshëm dhe për mbështetjen e studentëve e të punësuarve që udhëtojnë çdo ditë, qytetarët përballen me çmime gjithnjë e më të larta.

BDI kërkon nga institucionet kompetente të japin sqarim publik për arsyet e kësaj rritjeje dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të studentëve dhe kategorive që varen nga transporti ndërurban.

Qytetarët nuk mund të jenë ata që paguajnë faturën e çdo dështimi të pushtetit.