Gërvalla: Çështja e Speciales është betejë ligjore, jo betejë deklaratash
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se çështja që lidhet me Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet përmes punës ligjore dhe ekspertizës, duke deklaruar se Ministria e Drejtësisë po analizon edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nevojitet kujdes dhe bashkërendim institucional.
“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se Ministria e Drejtësisë po e analizon projektligjin e propozuar nga PDK-ja dhe se, pas përfundimit të analizës, do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin e saj.
“Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë, por askush nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, deklaroi ajo.
Gërvalla foli edhe për gjashtë projektligjet që, sipas saj, janë proceduar për në Kuvend, duke i cilësuar ato si pjesë të reformës së sistemit të drejtësisë.
Sipas ministres, njëra prej nismave është projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ajo tha se projektligji është shqyrtuar në disa faza, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias dhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
“Ky ligj nuk krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës”, tha Gërvalla.
Ajo sqaroi se, sipas projektligjit, Byroja do të ketë rol përgatitor dhe analitik, ndërsa vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë do ta marrë gjykata.
Në konferencë, Gërvalla u pyet edhe për kritikat ndaj saj pas vendimit të Dhomave të Specializuara dhe kërkesat për dorëheqjen e saj.
Lidhur me pretendimet se ka bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara, ajo tha se këto pretendime i ka mohuar edhe më herët.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë është bërë bajat, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me EULEX-in, as me UNMIK-un, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikë takimi timin, as direkt dhe as indirekt”, tha ajo.
Gërvalla tha se nuk e konsideron heshtje qëndrimin e saj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke theksuar se puna duhet të përqendrohet në aspektin ligjor.
“Unë nuk kam heshtur. Unë jam Ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë jam futur në punë me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, deklaroi Gërvalla.
Ajo shtoi se, sipas saj, institucionet duhet të përgatiten për fazat e ardhshme të procesit.
“Duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokën të ftohtë, pa shumë bërtitje, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, tha ministrja.
Sa u përket kërkesave për dorëheqjen e saj, Gërvalla tha se çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e një zyrtari publik.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Ajo është, më në fund, jetojmë në një shtet demokratik ku është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij”, tha ajo.
Gërvalla theksoi se fokusi i saj mbetet puna në Ministrinë e Drejtësisë dhe zbatimi i reformave të propozuara në sistemin e drejtësisë.

