MaqedoniTop Lajme

Hapen konkurset për financimin e projekteve kulturore, Sulejmani: Përparësi projekteve serioze dhe të qëndrueshme

Shpërndaje

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hapur konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional për vitin 2027, duke ftuar artistët, shoqatat dhe organizatat kulturore të aplikojnë me projektet e tyre.

Ministri Sedat Sulejmani tha se politika e financimit synon të jetë gjithëpërfshirëse, por njëkohësisht e përgjegjshme, duke mbështetur nisma që sjellin vlerë, profesionalizëm dhe rezultate të matshme.

Në fokus, sipas ministrit, do të jenë projektet që kanë qëndrueshmëri dhe ndikim më të gjerë, por vend do të ketë edhe për iniciativa më të vogla, veçanërisht kur ato dëshmojnë cilësi të lartë artistike, inovacion dhe lidhje të qartë me komunitetet lokale.

“Në kuadër të konkurseve do t’u japim përparësi të qartë projekteve serioze, të konceptuara mirë dhe të qëndrueshme, të cilat kanë kapacitet të lënë gjurmë afatgjatë, qoftë përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar apo zhvillimit të publikut të ri. Gjithashtu, me interes të veçantë presim projekte që do të realizohen në zonat kufitare. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e nismave më të vogla. Ato do të vazhdojnë të kenë vendin e tyre, veçanërisht kur dëshmojnë cilësi të lartë artistike, inovacion dhe lidhje të qartë me komunitetet lokale”, deklaroi Sulejmani.

Një tjetër risi e ruajtur në proces është digjitalizimi i plotë i aplikimit. Të gjithë aplikantët duhet të aplikojnë vetëm në mënyrë elektronike përmes Portalit Nacional të Shërbimeve Elektronike, ndërsa aplikimet në formë të shtypur ose të dërguara me postë nuk do të shqyrtohen.

“Këto konkurse do të mbështesin projektet që pasurojnë ofertën kulturore, krijojnë hapësirë për shprehje të reja kreative dhe kontribuojnë në dukshmërinë ndërkombëtare të kulturës sonë. Shprehim pritjen tonë të sinqertë që edhe këtë vit artistët, shoqatat dhe organizatat kulturore do të tregojnë interes të lartë dhe përgatitje profesionale, duke dëshmuar dinamikën dhe pjekurinë e skenës sonë kulturore”, shtoi ministri.

Afati për aplikim përfundon më 31 tetor në orën 15:30. Personat fizikë mund të aplikojnë me deri në dy projekte, ndërsa personat juridikë me maksimumi katër projekte.

📅 Afati i aplikimit: 30 tetor 2026, ora 15:30.
🔗 Aplikimi bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes “uslugi.gov.mk” (https://uslugi.gov.mk).