Arrestohet në Deçan Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt
Albert Sylaj u kap në Deçan nga Policia e Kosovës.
“Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore”, njofton Policia e Kosovës.
Gjithashtu, ky institucion ka falënderuar qytetarët që kanë ndihmuar në lokalizimin e Sylajt.
I dyshuari për vrasjen e 49-vjeçares, Arlinda Zekajt, është arrestuar dy ditë pasi kreu krimin.
Njoftimi nga policia:
Arrestohet personi i dyshuar për rastin “vrasje e rëndë” ndodhur në Vitomiricë të Pejës
Pejë, 27 tetor 2026
Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore.
Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim e ofruar për lokalizimin e personit të dyshuar.
Mbesim të përkushtuar në përmbushjen e detyrave ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Për veprimet e mëtejme procedurale do të veprohet në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.

